KryesoreLajme

Ekskluzive/ Vajza e Nikola Sanduloviqit tregon për Rruga Press: Milan Radoiçiq dhe Goran Rakiq torturuan babain tim brenda objektit të BIA-s

Në intervitën ekskluzive për Rruga Press, Klara Sanduloviq, vajza e politikanit serb Nikola Sanduloviq, i cili u rrëmbe dhe u torturua nga shërbimi sekret serb, tregon për herë të parë fakte tronditëse, që konfirmojnë natyrën brutale të shtetit serb, një rendi ku bota e krimit dhe ajo e politikës ndërkëmbehen në padallueshmëri, duke u vënë në shërbim të njëra-tjetrës.

Ajo flet për gjendjen shëndetësore të babait të saj, duke e cilësuar si shumë të vështirë nga njëra anë, dhe opinionin publik serb nga ana tjetër, që ajo thotë se është tërësisht i kontrolluar nga mediat, të cilat po ashtu drejtohen nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Në këtë mënyrë familja e tyre gjendet mes frikës për shëndetin e Nikola Sanduloviqit dhe një mjedisi pasigurie, duke e konsideruar shumë të mundshme një tentativë tjetër për të eleminuar babain e saj nga shteti serb. Nisur nga kjo, ajo i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe secilit aktor të ngrejnë zërin në mbrojtje të figurave si Sanduloviq, ndoshta politikani i vetëm në Serbi që përfaqëson vlerat e demokracisë, paqes, respektit dhe drejtësisë për rajonin.

“Babai im u rrëmbye në fund të janarit nga policia e shërbimit sekret serb dhe arsyeja për këtë ishte akti i tij i vendosjes së luleve te varri i Blerina Jasharit, para një viti, dhe qeveria shkeli secilin ligj dhe pas gjashtë orësh torture dhe rrahje totale ai përfundoi në spital, ai vdiq dy herë, është një deklaratë e shkruar në të dhënat mjekësore ku ata u përpoqën ta risjellin në jetë dhe në këtë gjendje ai në mënyrë urgjente u transportua, u rrëmbye, për në burg, ku ata insistuan ta çojnë në Nish dhe ku u organizuan që të mos dilte nga burgu i gjallë”, shprehet e shqetësuar Klasa Sanduloviq.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Më pas ajo thotë se babai i saj shpëtoi i gjallë, edhe pse tashmë i paralizuar në njërën anë të trupit dhe me brinjë të thyer, vetëm fal reagimit të komunitetit ndërkombëtar, mediave ndërkombëtare, deklaratave të kryeministrave dhe presidentëve të ndryshëm.

Ashtu si babai i saj, edhe Klara Sanduloviq shprehet guximshëm, pavarësisht rrezikut për familjen e saj. Ajo tha se babai i saj ka arritur të identifikojë disa persona brenda objektit të BIA-s ku po torturohej, si pasojë e të cilës ai gati ka ndërruar jetë dy herë dhe vetëm ndërhyrja e mjekëve e ka rikthyer në jetë.

Ajo deklaron se ndër personat që Sanduloviq i ka identifikuar janë terroristi Milan Radoiçiq, i kërkuar ndërkombëtarisht për sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës të cilin e udhëhoqi, dhe Goran Rakiq, ish-kryetari i partisë Lista Serpska në Kosovë që dirigjohet nga presidenti serb Vuçiq, e i cili dha dorëheqje vetëm disa ditë pas sulmit të armatosur terrorist në Banjskë.

“Ata njerëz janë anëtarët e preferuar të Partisë Progresive të Serbisë. Babai im njohu shumicën dërrmuese të tyre në dhomën kur po e torturonin dhe një prej tyre ishte ky Radoiçiq, i cili mori pjesë në incidentin e Banjskës po ashtu, dhe gjithashtu një person i caktuar i quajtur Rakiq, ai ka qenë kryetar i Listës Serbe në Kosovë. Ky është një person që supozohet të jetë politikan. Këta njerëz janë kukullat e preferuara kriminale të kësaj qeverie. Ata janë shumë të mbrojtur këtu, atyre u lejohet të shkojnë brenda zyrave të BIA-s dhe të rrahin njerëz ilegalisht. Qielli është limiti për ta këtu në këtë vend”, tha ajo në intervistën për Rruga Press.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Klara Sanduloviq konfirmoi atë që tashmë dihej, se krimi dhe politika janë të pashkëputshme për pushtetin në Serbi dhe njerëzit e këtij pushteti që dikur mbanin peng veriun e Kosovës dhe qytetarët aty.

Një kriminel i rangut terrorist si Radoiçiq, ndërkohë që duhej të ishte në burg, e ka derën e hapur të futet në institucionet serbe dhe aty t’i shërbejë Vuçiqit duke rrahur për vdekje kundërshtarët e vërtetë të presidentit serb. Një “politikan” si Goran Rakiq, në mëngjes mashtron e ankohet për “dhunën e kryeministrit Albin Kurti”, në drekë organizon huliganët e Vuçiqit për të goditur trupat e KFOR-it dhe Policisë së Kosovë, ndërsa në darkë takon Radoiçiqin, edhe ky ish-nënkryetar i Lista Serpskas, brenda BIA-s që ta torturojnë së bashku një tjetër politikan, atë të vërtetë dhe pa prapavijë kriminale, Nikola Sanduloviqin.

Gjithçka është e qartë dhe s’ka vend për mëdyshje. Kushdo që akoma shpreson se do shkëpusë Serbinë e Vuçiqit, Radoiçiqit dhe Rakiqit, nga mendësia e krimit dhe brutalitetit duke kënaqur orekse e duke mbyllur sytë do ta ketë shumë të vështirë që së pari t’i besojë gënjershtrat e veta, e pastaj t’i bëjë të tjerët besojnë ato. Kjo tolerancë e dështuar vetëm sa do t’i shtojë episodet e këtilla destruktive, si brenda Serbisë ashtu edhe në vendet fqinje.

Ndiqni intervistën e plotë:

YouTube player

©Rruga Press

YouTube player