Nderoi varrin e Blerina Jasharit, Stojkoviq: Serbia po dhunon dhe arreston njerëzit në varret e fëmijëve shqiptarë (VIDEO)
Avokati serb Çedomir Stojkoviq, pasi ka bërë homazhe në Prekaz dhe ka vënë lule te varri i Blerina Jasharit, ka folur për gazetarët.
Ai ka thënë se e keqja e njëjtë që kishte përhapur urrejtje e vrasje në Ballkan 25 vjet më parë, ajo para 15 ditëve e ka rrahur dhe arrestuar Nikola Sanduloviqin.
“Në aktakuzën zyrtare thuhet se ai serb vuri lule në varrin e një vajze shqiptare të vrarë, Blerina Jashari. Për këtë duhet arrestuar”, tha Stojkoviq.
Ai ka përmendur rastin e Gjermanisë dhe Polonisë pas Luftës së Dytë Botërore e ka bërë krahasim me situatën mes Serbisë e Kosovës.
“25 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, ishte viti 1970 dhe gjermanët për shkak të padrejtësisë ndaj polakëve, kishin humbur një pjesë te territorit të tyre. Ata shkuan në Varshavë e bën nderime te varret e viktimave të padrejtësive të tyre. Sot miliona polakë e gjermanë në bashkëpunim të ngushtë në çdo fushë të mundshme, së bashku formojnë shtyllën kurrizore të Evropës së lirë. Fëmijët e martesave të tyre të përziera shijojnë përfitimet e kësaj paqe të krijuar, përkundër historisë së rëndë. 25 vjet pas luftës në Kosovë, si lufta e fundit në Ballkan, vendi im arreston dhe rrah njerëzit që vënë lule në varret e fëmijëve shqiptarë të vrarë dhe duan pajtim mes kombeve. Kjo është një shenjë që s’guxojmë të injorojmë, është paralajmërim i qartë se e keqja nuk është mposhtur dhe se po pret momentin që të zgjohet sërish. Kjo e keqe tash po punon që ta vrasë shpresën se është e mundur e ardhmja e jonë e përbashkët kualitative”, ka thënë Stojkoviq.
Stojkoviq ka thënë se tentimet e Serbisë gjithmonë do të dështojnë. Ai ka thënë se ka ardhur të shprehë dhembjen për civilët e vrarë, por edhet të dërgojë mesazh të qartë se “ne që po ndërtojmë një të ardhme më të mirë për njerëzit tanë, nuk kemi frikë! Nuk jemi frikësuar dje, nuk frikësohemi sot dhe nuk do të frikësohemi nesër, e as nuk do të ndalojë askush që të ecim drejt rrugës së pajtimit, paqes, solidaritetit dhe drejtësisë”.
Stojkoviq ka thënë se Serbia tash ka rastin ta arrestojë atë siç e kishte arrestuar politikanin serb Sanduloviq.
“Nëse shteti im arrestoi dhe rrahu Nikola Sanduloviqin për shkak se vuri lule në këtë vend i vetëdijshëm dhe me vlerësimin e tij, tash shteti im ka mundësinë të më arrestoj mua po ashtu dhe t’i tregojë botës se ka një rregull të ri, sipas së cilit nëse vendosni lule të pajtimit në varre të kombësive tjera, është e ndëshkueshme me burgim. Nëse nuk ndodh, atëherë duhet t’i shpjegojnë botës pse lulet e mia janë ndryshe nga ato të Nikolas, apo lulet e gjithë tjerëve, dhe pse jam përjashtim që nuk arrestohem”, tha Stojkoviq. “Pavarësisht nëse i arrestuar apo jo, unë prapë do të jem njeri i lirë, siç janë shumë, pasi liria nuk vjen nga një gjykim, e as burgu nuk vjen nga hekurat e qelisë. Liria vjen nga zemra e njeriut”.
Stojkoviq ka thënë se njerëzit e mirë nuk kanë pse të kenë frikë.
“Nga gjitha mesazhet, kjo është më e rëndësishmja: liria gjithmonë do të fitojë!” – ka thënë Stojkoviq.
Rruga Press