Lajme

Presidentja Osmani dhe Glauk Konjufca bëjnë homazhe pranë varreve të Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, sot kanë bërë homazhe në Dubovik pranë varreve të Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës në 42-vjetorin e vrasjes së tyre.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se vrasja e këtyre heronjve i dha goditje të madhe përpjekjeve të gjata për liri, njëkohësisht e ka rizgjuar ndjenjën e atdhetarizmit.

“17 janari është ditë e humbjeve të mëdha për popullin shqiptar, e për Kosovën në veçanti. Në këtë datë 42 vite më parë vrarë në një atentat në Gjermani Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka duke i dhënë kështu  një goditje të madhe përpjekjeve të gjata e sakrificës së madhe të popullit  tonë për liri, por njëkohësisht duke e rizgjuar ndjenjën e atdhetarizmit”, tha Osmani .

E para e vendit tha se vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka u shndërruan në simbol të përpjekjeve të gjata për liri.

Lexo më shumë  Në Kosovë promovohet pulla postare kundër dhunës gjinore “Sot dhe çdo ditë tjetër”

“Jemi mbledhur për të kujtuar trimërinë dhe sakrificën e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës të cilët u shndërruan në simbol të përpjekjeve tona për liri. E kujtojmë me pietet gjithë kontributin e tyre dhe të mijëra djemve dhe vajzave të Kosovës të cilët dhanë jetën në mënyrë që ne sot të punojmë për Kosovën e pavarur, dhe ta gëzojmë lirinë e saj”, tha ajo.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Galauk Konjufca tha se Jusuf e Baredhosh Gërvallën  dhe Kadri Zekën  i ka quajtur  pararendës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 Ai ka theksuar se ata kanë një peshë të jashtëzakonshme për historinë e Kosovës dhe do të kujtohen dhe nderohen gjithmonë.

“Jemi këtu për t’i kujtuar heronjtë tanë, patriotët e mëdhenj, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka të cilët këtu e 42 vite më parë u vranë nga UDB-ja  jugosllave dhe serbe. Ata kishin dy qëllime madhore të cilat duhet t’i kujtojmë, e të cila kanë peshë dhe rëndësi shumë të madhe për historinë e Kosovës. E para ata u përpoqën që t’i bashkonin të gjitha organizatat ilegale të cilat synim e kishin lirinë e popullit shqiptarë dhe e dyta që kjo liri të vinte përmes çlirimit përmes përpjekjes së organizuar dhe të armatosur të popullit të Kosovës”, tha ai .

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti merr pjesë në përurimin e bibliotekës e re në Komunën e Shtimes

 Ndërkaq zëvendëskryeministrja dhe ministrja e punëve të Jashtme dhe Diasporës, njëkohësisht e bija e heroit Jusuf Gërvalla ka thënë se 17 janari është një prej datave që na përkujtojnë vazhdimisht që liria nuk është fituar lehtë dhe nuk ka ardhur shpejtë.

“17 janari na përkujton se sa e vlefshme është kjo liri që kemi dhe sa duhet të punohet dhe luftohet që të mbrohet, të ruhet dhe Kosova të bëhet shtet ashtu sç kanë dashur të gjithë ata që kanë sakrifikuar dhe janë flijuar”, tha ajo.

Rruga Press

YouTube player