KryesoreLajme

Sot 25 vjet nga Masakra e Reçakut, mizoria e Serbisë me shqiptarët e Kosovës! Në 2 dekada asnjë i dënuar

15 janari i vitit 1999 ka qenë një ndër ditët më të zeza në Kosovë ku forcat serbe vranë 45 shqiptarë të pafajshëm.

Fshati Reçak ndodhet 30 kilometra larg Prishtinës. Mëngjesi i 15 janarit të vitit 1999 zgjoi shqiptarët e Kosovës nga të shtënat me armë zjarri.

Fshati që ndodhet rreth 30 kilometra larg Prishtinës, kishte filluar të braktisej nga banorët, për shkak të afërsisë në të cilën ishin vendosur policia dhe ushtria serbe.  

Gjatë një aksioni disaorësh, forcat policore dhe paramilitare serbe vranë atë ditë 45 civilë shqiptarë në Reçak. Shumë prej tyre, sipas ekipeve vëzhguese ndërkombëtare, ishin gjymtuar.  

Numri më i madh i viktimave kishte mbetur në Kodrën e Bebushit, derisa të vrarë të tjerë kishte në të gjithë fshatin.  

Mëngjesin e 16 janarit, 1999, në Reçak shkoi William Walker, aso kohe shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë. 

Lexo më shumë  Dita e Forcës, Kurti: Kemi shumëfishim të pajisjeve nga Turqia, Gjermania, Kroacia...

Walker ishte personi i parë që alarmoi botën për krimet në Reçak.   

“Nga ajo që pashë personalisht, nuk hezitoj që ta përshkruaj ngjarjen si masakër, duket qartë, padyshim një krim i rëndë kundër njerëzimit, tha Walker.  

Trupat e të vrarëve u vendosën në xhaminë e fshatit nga familjarët. Policia serbe nuk e lejoi varrimin. Luftimet midis forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës rifilluan.

Pas gati dy ditësh luftime, forcat serbe i morën trupat e viktimave nga xhamia dhe i dërguan për obduksion në Prishtinë. 

Sipas tyre, obduksioni tregoi se ngjarja nuk kishte të bënte me masakër. 

Këtë e mohoi më vonë një raport i obduksionit, i bërë nga një ekip finlandez, nën udhëheqjen e ekspertes së forenzikës, Helena Renata.  

Në deklaratat zyrtare të institucioneve serbe thuhej se ngjarja ishte inskenim dhe se viktimat ishin pjesëtarë të UÇK-së, që ishin vrarë në luftime.   

Lexo më shumë  Osmani homazhe në Prekaz: Betohemi para varreve të Jasharëve se do të mbrojmë çdo cep të Kosovës

Presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Bill Clinton, e dënoi vrasjen e civilëve shqiptarë.  

“Ishte një akt i qëllimshëm dhe joselektiv i vrasjeve, i bërë për të krijuar frikë në mesin e popullit të Kosovës, tha Clinton. 

Kanë kaluar mbi dy dekada nga dita kur ka ndodhur masakra në fshatin Reçak të Shtimes, por për këtë rast nuk është dënuar drejtpërsëdrejti askush. 

Vrasja e 45 civilëve shqiptarë më 15 janar, 1999, ishte pjesë e aktakuzës së Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë ndaj Sllobodan Millosheviqit, Millan Millutinoviqit, Nikolla Shainoviqit, Dragolub Ojdaniqit dhe Vllajko Stojilkoviqit. 

Gjykata i akuzonte këta persona për vrasjen e qindra civilëve shqiptarë në Kosovë, ndërsa në mënyrë specifike përmendej vrasja e së paku 45 civilëve shqiptarë në fshatin Reçak.

YouTube player