Osmani beson se SHBA-ja do të miratojë shitjen e raketave “Javelin” për Kosovën
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se ka besim të plotë që Kongresi amerikan do ta mbështesë shitjen e raketave “Javelin” për Kosovën.
Në një postim në Facebook, Osmani ka thënë se Kosova po hyn në një fazë të re dhe vendimtare të fuqizimit të kapaciteteve shtetërore të mbrojtjes.
Kjo sipas saj përfshinë zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës konform standardeve të NATO-s dhe thellimin e marrëdhënieve me partnerin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kam besim të plotë se Kongresi do ta mbështesë këtë shitje të mundshme për vendin më proamerikan në botë, si një akt i cili do ta rrisë sigurinë në Kosovë, në rajonin tonë, si dhe në kontinentin evropian”, ka shkruar Osmani.
Ajo në postimin e saj ka cituar edhe një pjesë të deklaratës së qeverisë amerikane për këtë.
“Siç u tha në Deklaratën thelbësore të Qeverisë amerikane: ‘Kjo shitje e propozuar do t’i mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian që është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë. Shitja e propozuar gjithashtu do ta rrisë kapacitetin afatgjatë mbrojtës të Kosovës për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial, si dhe për t`i përmbushur kërkesat shtetërore në sferën e mbrojtjes’”, ka shkruar Osmani.
Në postim ka falënderuar sekretarin amerikan Antony Blinken me të cilin ka thënë se kanë diskutuar për këtë Programin e Shitjeve Ushtarake të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve
“Si presidente e Republikës dhe komandante supreme e FSK-së shprehë mirënjohjen time për institucionet tona të mbrojtjes të cilat për vite me radhë punuan për përmbushjen e kritereve për kualifikim në Programin e Shitjeve Ushtarake të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve. Shpreh falënderim të veçantë për Sekretarin Blinken me të cilin kemi diskutuar mbi miratimin e programit të Shitjeve Ushtarake të Huaja (FMS) në korrik 2022, për Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-ve dhe Kongresin e Shteteve të Bashkuara, i cili tashmë është njoftuar zyrtarisht për synimin e Kosovës për të blerë sisteme mbrojtëse armësh përmes programit FMS”, ka shkruar Osmani.
Rruga Press