Debati që mbyllën prokurorët e McGonigal
Nga Andi Bushati
Pretenca e prokurorëve të Kolumbias për skandalin McGgonigal, përtej atyre që dinim, i shërben një debati që e kapërcen fatin e kryeministrit të sotëm shqiptar. Deri më tani ne jemi të bindur se kjo aferë i ka shpërbyer Edi Ramës për të goditur opozitën vendase. Se për të arritur këtë qëllim, ai dhe njerëzit pranë tij, korruptuan agjentin më të lartë të FBI-së në histori, që e ka tradhëtuar ndonjëherë këtë institucion. Ne kemi mësuar se në gusht 2017, Charles McGonigal i kërkoi para borxh Argon Nezës, se në shtator ai e solli të takohet me Ramën dhe menjëherë më pas, në një parkim makinash, mori plot 225 mijë USD cash. Pavarësisht se çfarë thotë propaganda në Tiranë, e përditshmja prestigjoze amerikane New York Times e përmblidhte mirë këtë histori kur konkludonte e agjenti i korruptuar “ndërmori hapa në dobi të politikanit Rama”. Këtu diskutimi është i mbyllur. Dhe në këtë pikë leximi i 17 faqeve të prokurorëve të Kolumbias nuk sjell ndonjë gjë të re. As ndonjë detaj që i përforcon pandehmën, si ai që, “FBI nuk ishte e binduar për provat ndaj lobistit të Bashës, Nik Muzin, por ajo e hapi hetimin nën presionin e McGonigal dhe e mbylli menjëherë sapo ky i fundit u largua nga detyra”, sërish nuk ndryshon gjë në bindjen e përgjithshme.
Por në të kundërt, aty mes rreshtave, lexohet e zeza mbi të bardhë, një konkluzion që i shërben si një gur i çmuar debatit tonë të brendshëm. Prokurorët arrijnë në përfundimin se me të marrë paratë, Charles McGonigal, i shërbeu qëllimeve të atyre që e korruptuan dhe jo atyre të SHBA-së. Dhe ky ish agjent arriti që falë pushtetit të tij dhe parave të marra të hapte një hetim kundër opozitës shqiptare. Ky hetim “rrodhi në media” si një shqetësim amerikan për paratë ruse që financonin PD-në. Dhe në Tiranë plasi gurguleja për linçimin e kundërshtarëve të Ramës, që frymëzohej “nga provat” amerikane. Edhe njëherë në veshët tanë ushtuan slloganet se aleatit tonë strategjik i duhet besuar qorrazi, se partneriteti me Amerikën është i pacënueshëm, se vërtetësia e fermaneve të perandorisë është e padiskutueshme. Në lojë u shfaqën edhe njëherë të gjithë ata që bëjnë be për SHBA-në edhe kur e shpall Berishën “burrë shteti” edhe kur e etiketon si “minues të demokracisë”, edhe kur kërkon stabilitet gjatë qeverisjes abuzive të kryeministrit Meta, edhe kur nuk e lë të njëjtin person të demonstrojë si president me flamur amerikan. Ata që i shkojnë me sy mbyllur Amerikës edhe kur Kris Hilli i hap dritën jeshile burgosjes së Fatos Nanos edhe kur këtë të fundit e presin me nderime në Shtëpi të Bardhë.
Në këtë polemikë, midis atyre që përsërisin me një idiotësi gati religjoze se Amerika nuk gabon, se ajo është e pakorruptueshme, se ajo duhet besuar verbërisht, dhe të tjerëve që këmbëngulin se çdo rast duhet shqyrtuar sipas logjikës, bindjes së brendshme dhe fakteve që kemi në dorë, pa paragjykime ekstreme inferioriteti, konkluzioni i prokurorëve të çështjes McGonigal vlen shumë. Sepse ai na dëshmon se si një person i korruptuar arriti të shtrembërojë perceptimin tonë për një Amerikë të pagabueshme. Ai arriti t’i imponojë FBI-së një hetim kundër opozitës vendase, tek e cila specialistët e saj nuk besonin, përmes tij ky lajm u mor si i vërtetë nga mediat e përtej Atlantikut. Dhe falë të gjitha këtyre së bashku, shqiptarëve iu përcoll një mesazh i korruptuar, që sipas prokurorëve nuk ishte ai që i interesonte SHBA-së, por thjesht ai që donin pagatorët e McGonigalit.
Pikërisht për këtë, për faktin se na hap sytë që nga perandoria mund të mbërrijnë edhe mesazhe të blera me para në dorë, pretenca e fundit është një dokument, që duhet mbajtur mend. Madje ajo është edhe më e rëndësishme sesa debati i ditës për implikimin kryeministrit të radhës me çështjen Mcgonigal. Sepse fatkeqësisht, ata që kanë spekuluar me besimin fanatik ndaj asaj që vjen përtej oqeanit, kanë ekzistuar edhe para Ramës, janë shumëfishuar gjatë mbretërimit të tij dhe do ta vazhdojnë ta bëjnë edhe kundër tij, kur ai të mos jetë më. Prandaj duhet të jemi vigjilentë ndaj atyre që aromën e parave na e shesin si erë të së vërtetës./Lapsi.al
Rruga Press