Ndërkohë që BE-ja dremit, Vulini kërcënon rajonin: Jemi një popull, bashkimi i Serbisë ka filluar
Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja deklarohen herë pas here se Serbia është partner i tyre dhe se besojnë në integrimin e Serbisë dhe demokratizimin e saj.
Por nuk mendojnë njësoj edhe aktorë të rëndësishëm të politikës serbe, si Aleksandër Vulin, i cili paralajmëron se bashkimi i Serbisë është një proces që tashmë ka nisur dhe nuk mund të ndalet.
Anëtari i Senatit të Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë dhe ish-drejtori i Agjencisë së Informacionit dhe Sigurisë në Serbi e dha këtë koment duke folur për versionin ballkanik të Russia Today.
“Dita e nëntë janarit nuk është festë për Republikën Srpska, por për të gjithë serbët, kudo që jetojnë”, u shpreh ai duke pretenduar se Republika Srpska u fitua me armë dhe jo nga vullneti i fuqive të mëdha.
“Republika Srpska dhe Serbia janë një, dhe serbët, kudo që jetojnë, janë një. Procesi i bashkimit ka filluar dhe ai thjesht nuk mund të ndalet”, nënvizoi Vulini.
Ai pretendoi se kjo nuk është një sfidë për rrëzimin e marrëveshjes së Dejtonit, pasi sipas tij “çdo rivizatim përbën kërcënim për paqen në Bosnje dhe Hercegovinë”.
Ish-kryespiuni serb mbrojti presidentin Vuçiq duke thënë se përballet me presion të madh nga ndërkombëtarët për të hequr dorë nga ndikimi në Republika Srpska.
Vulini sqaroi se bashkimi do të nisë nga pjesëmarrja aktive në politikë në vendet respektive, duke filluar nga lejimi i marrjes pjesë në votime të njerëzve nga Republika Srpska për në Serbi.
Vulini është larguar nga politika dhe institucionet në Beograd, pas sanksionimit nga Shtetet e Bashkuara. Dodiku, gjithashtu në listën e zezë amerikane, i ofroi atij një post në senat dhe një rol në politikën aktive të Republika Srpska në Bosnje. Të dy janë miq të presidentit rus, Vladimir Putin.
Rruga Press