Gazetarja tregon si u deformua ligji për investimet strategjike dhe kush përfitoi
Pak vite më parë, qeveria shqiptare vendosi krijimin e Komitetit të Investimeve Strategjike me synimin për t’i dhënë një hov të ri nivelit të investimeve të huaja në Shqipëri. Por prej vitesh investitorë strategjikë u bënë biznesmenët kryesorë vendit, të lidhur me qeverinë dhe shumica e investimeve u dhanë në fushën e turizmit për të ndërtuar resorte turistike në bregdet, me qëllim shitjen e vilave.
Gazetarja Ola Xama, tha në emisionin “Të Paekspozuarit”, në MCN TV, se nga 43 statuse për investitorë strategjikë që janë dhënë, 33 janë dhënë në turizëm, për ndërtime vilash për shitje, kur duheshin dhënë për investime strategjike që do të zhvillonin industrinë, sektorin e energjisë, bujqësinë dhe mes tyre edhe sektorin e turizmit.
“Në total Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar 43 statuse për investitorë strategjikë, prej të cilave, 78 për qind, ose 33 vendime, janë statuse të investitorit strategjik në turizëm, duke deformuar sektorët prioritarë për investimet strategjike. Sot qyteti mendon se të jesh investitor strategjik do të thotë që të marrësh tokë falas dhe të investosh në bregdet apo zona turistike për të ndërtuar pallate. Por jo. Parimet e ligjit për investime strategjike janë për të zhvilluar industrinë, sektorin e energjisë, bujqësinë dhe mes tyre edhe sektorin e turizmit. Ndërkohë që nga 43 vendime, 33 janë dhënë vetëm për turizmin, 4 janë dhënë në bujqësi, 4 nën energjitikë dhe dy në industrinë automotive.
Ligji për investimet strategjike fillimisht u tha se do të sillte kompani të huaja. Nga 43 statuse vetëm 3 janë kompani të huaja si kompania koreane “Jura” në industrinë automotive, tjetra është “Eagle Hills Real Estate”, ku ka pjesë shteti shqiptar dhe z. Mohamed Alabar në portin e Durrësit.
Mes stastusit të investorit strategjik është një dorë e biznesmenëve shqiptarë që kanë marrë lejet në xhep dhe nuk kanë investuar, një pjesë tjetër e kanë marrë statusin 4 herë, ca dy herë. Z. Samir Mane e ka marrë statusin e investitorit strategjik 4 herë, është kompania “Gjikuria” që ka marrë dy herë statusin e investitorit strategjik dhe grupi i aksionerëve të “Concord Investment” të Edil-Al që e ka marrë dy herë statusin.
Ata e marrin statusin për turizëm dhe jo për apartamente banimi dhe këtu ka një deformim të ligjit për investimet strategjike. Në momentin që investitori i shet, aty nuk ka asnjë ndikim në ekonominë e zonës”-u shpreh mes të tjerash gazetarja Ola Xama.
Rruga Press