Opinion/Aktualitet

Bindja që më përforcoi 2023

Nga Ditmir Bushati

Përfitimi më i madh i një edukimi të mirë është aftësia për të menduar me kokën tënde, dëgjuar me kujdes mendimet e të tjerëve, debatuar me to për ide dhe reflektuar për tema të ndryshme. Në shoqëritë demokratike, pavarësisht vërshimit të të “vërtetave alternative”, ekziston një ekosistem i decentralizuar i akademikëve, klerit, shoqërisë civile, gazetarëve, sipërmarrjes dhe të tjerëve që nuk janë në një mendje për shumëçka, por bien dakord për një sistem të përbashkët rregullash për formësimin e njohurive.

Në Shqipëri kjo është e vështirë, për shkak se nuk ekziston ende një treg idesh dhe një ekosistem ku njerëzit kolektivisht të kenë mundësi të arsyetojnë mbi atë që është e vërtetë. Në mungesë të tij, politika e ditës i dikton shoqërisë një agjendë mediatike, e cila, në rastin më të mirë nuk mundëson shqyrtimin e ideve që duhet t’i mbijetojnë kontrollit kolektiv, shoshitja e të cilave e ndihmon zhvillimin demokratik të shoqërisë.

Përgjatë vitit 2023 në podcastin tim “Public Square” pata mundësinë të bisedoj me personalitete të skenës ndërkombëtare dhe shqiptare për tema të ndryshme, duke u përpjekur për të kuptuar e shpjeguar fenomene që na shqetësojnë. Fjalët kyçe të këtyre bisedave kanë të bëjnë me sigurinë, demokracinë, ekonominë e jetës, dhe mënyrën sesi mund të veprojnë shqiptarët në një realitet me “të panjohura të njohura”, për të huazuar një shprehje të filozofit të njohur Slavoj Žižek. Po përpiqem të shtjelloj reflektimet e mia nga këto biseda për të kuptuar sfidat para nesh.

I. Siguria
Viti 2023 u shënjua nga luftrat dhe konfliktet. Megjithëse Ukraina po i reziston agresionit rus, kundërofensiva e saj ushtarake nuk arriti rezultatet e dëshiruara. Pak gjëra ndryshuan në tërren. Ndërsa në Europë dhe SHBA u ndjenë shenjat “lodhjes nga Ukraina”. Rindezja e konfliktit të përgjakshëm në Lindje të Mesme më 7 tetor, fundosi shanset për paqe dhe zgjidhje të qëndrueshme mes Izraelit dhe Palestinës dhe zhvendosi disi në plan të dytë luftën që po zhvilohet në Europë që prej 24 shkurtit të vitit 2022.

Pasi Vladimir Putin pushtoi Ukrainën, Perëndimi u ndje superior në udhëheqjen e një shumicë shtetesh në Kombet e Bashkuara, që përmes rezolutave të njëpasnjëshme dënuan agresionin e pashembullt rus. Megjithatë, në kuptimin demografik të fjalës, duhet pranuar se pjesa më e madhe e botës nuk e dënoi Rusinë, sepse sanksioneve ju bashkuan rreth 40% e popullsisë së botës, që përkon me rreth 30% të produktit të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Mirëpo, rindezja e konfliktit të përgjakshëm në Lindje të Mesme e përmbysi epërsinë e Perëndimit përkundrejt pjesës tjetër të botës, për shkak të ndarjeve katastrofike brenda BE-së dhe vetë Perëndimit. Dhe askund kjo nuk ishte më e dukshme se sa në votimet që u zhvilluan në OKB, ku Perëndimi ishte i përçarë.

Gjatë angazhimeve të mia në Lindjen e Mesme dhe bisedave me personalitete të ndryshme atje, kuptova se për ta lufta në Ukrainë konsiderohej një luftë në Europë, që pak kishte të bënte me të drejtën ndërkombëtare dhe sigurinë ndërkombëtare. Europa shfaqej me vështirësi në hartën mendore të Lindjes së Mesme, pavarësisht afërsisë gjeografike dhe faktit se Europa është porta hyrëse e refugjatëve nga Lindja e Mesme.

Është e kuptueshme se mungesa e një qëndrimi të përbashkët në mbështetje të së drejtës ndërkombëtare, armëpushimit të menjëhershëm dhe ndërtimit të kushteve për një zgjidhje të qëndrueshme me dy shtete në Lindje të Mesme, e dobëson pozitën globale të BE-së në veçanti dhe Perëndimit në përgjithësi në sigurimin e mbështetjes ndërkombëtare ndaj Ukrainës, e cila qëndron në zemër të sigurisë europiane.

Pozicioni i BE-së është po aq i vështirë në jug të kontinentit, për shkak të qëndrimeve anemike ndaj Serbisë, si prishëse e stabilitetit rajonal dhe për moslinjëzimin e politikave dhe qëndrimeve të saj me ato të BE-së. Në dallim nga agresioni rus kundër Ukrainës, që ka trajtat e një luftë koloniale, apo nga konflikti në Nagorno-Karabakh, agresioni i Serbisë ndaj Kosovës është ai i një shteti kandidat për anëtarësim në BE ndaj një shteti që synon anëtarësimin në BE.

Vështruar në këtë kontekst, përfundimi i këtij konflikti nuk është më një çështje politike, por një çështje serioze e sigurisë për rajonin dhe të ardhmen e Europës. Zgjedhja nuk është më vetëm mes dështimit dhe suksesit të dialogut, por ndërmjet stabilitetit dhe përshkallëzimit të mëtejshëm të akteve të dhunës. Pa garantuar sigurinë dhe përmbylljen e konflikteve si pasojë e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në jug të kontinentit, BE-ja do ta ketë të pamundur t’i rezistojë në mënyrë të qëndrueshme agresionit rus në lindje të kontinentit.

II. Demokracia
Që prej vitit 2008, kemi një rënie graduale të cilësisë së demokracisë, madje edhe midis tridhjetë demokracive më të përparuara të Europës Perëndimore dhe Amerikës së Veriut. Viti 2023 nuk përbën përjashtim. Edhe në rajonin tonë, me përjashtim të Kosovës, ka bjerrje të normave demokratike, jo vetëm për sa u përket zgjedhjeve të lira e demokratike, por edhe për sa i takon aspekteve të tjera të demokracisë liberale. Me fjalë të tjera, normave themelore të bashkëjetesës demokratike që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës, kontrollet dhe ekuilibrat ndërmjet pushteteve, llogaridhënien dhe përgjegjshmërinë politike.

Në të tilla kushte shtrohet pyetja nësë ja vlen të luftosh për demokracinë? Përgjigjja e kësaj pyetje për ne shqiptarët s’duhet të ketë asnjë dilemë, pasi arritjet më të mëdha historike si komb i kemi realizuar në ato pak çaste të historisë sonë kur kemi mbajtur gjallë shpirtin dhe frymën e demokracisë dhe kur kemi respektuar ligjësitë e politikës, të cilat edhe pse jo të kodifikuara kanë vlerën e ligjeve të natyrës. Ashtu si siguria edhe demokracia nuk mund të merret e mirëqenë, si një sistem që fitohet njehërë e përgjithmonë.

Demokracia është një sistem që duhet kultivuar dita-ditës. Për të kemi shumë përkufizime. Koncepti minimalist i saj lidhet me organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të barabarta. Koncepti i mesëm nënkupton, nga njëra anë, zgjedhje të lira dhe të barabarta, si dhe shtetin e së drejtës, kontrollin dhe ekuilibrat ndërmjet pushteteve, nga ana tjetër. Ndërsa sipas konceptit maksimalist, që kryesisht promovohet nga demokratët e thekur, demokraci do të thotë zgjedhje të lira, shtet i së drejtës, plus një lloj drejtësie sociale dhe frymë ndershmërie në qeverisje.

Përkundrejt kategorizimit të mësipërm, sfidat me të cilat përballen vendet e rajonit tonë mund të mos jenë identike. Sidoqoftë, një fillim i mirë do të ishte adresimi i polarizimit të tejskajshëm të jetës politike, njehësimit të shtetit me pushtetin, togëzimit të korrupsionit dhe krimit në jetën publike, përqendrimit të pasurisë së përbashkët dhe liçensave kombëtare tek një grusht njerëzish, pa i kthyer mbrapsht investimin shoqërisë. Fenomene këto që rraskapisin besimin e njerëzve dhe zvogëlojnë mundësitë për një jetë të dinjitetshme. E sigurtë është se 2024, si vit zgjedhor në një pjesë të madhe të botës, do të jetë vendimtar në betejën mes demokracisë dhe formave të tjera të qeverisjes.

III. Ekonomia e jetës
Në Ballkanin Perëndimor ka gjithnjë e më pak njerëz. Ndërkohë, ato që nuk emigrojnë dhe qëndrojnë në rajon po plaken. Hendeku zhvillimor mes rajonit dhe BE-së, apo edhe fqinjëve tanë anëtarë të BE-së, nuk po ngushtohet, pavarësisht fjalëve të ëmbla të zyrtarëve të lartë të BE-së. Rajoni përballet me sfida të rëndësishme përsa i përket politikave të arsimit, shëndetësisë, përkujdesjes shoqërore dhe shërbimeve të tjera publike, të cilat përbëjnë boshtin e asaj që Jacques Attali e përkufizon si “ekonomia e jetës”.

Tkurrja e popullsisë dhe fuqisë punëtore në dispozicion zvogëlon mundësinë për tërheqjen e investimeve të huaja. Pa të rinj dhe pa njerëz të arsimuar është e vështirë të krijohet një masë kritike e përkushtuar për të mbështetur sundimin e së drejtës, rrënjosur demokracinë, përmirësuar kulturën politike, sjelljen institucionale dhe nivelin e llogaridhënies.

Për fat të keq, Shqipëria i prin vendeve të rajonit me numrin më të lartë të emigracionit. Në mungesë të një debati të mirëfilltë për këtë “kërcënim demografik”, në Shqipëri ka dy qëndrime. Njëri, që përpiqet ta trajtojë si dukuri që ka prekur shumë vende të Europës Juglindore, por duke shmangur analizën për rrënjët e fenomenit dhe intensitetin e lartë të emigrimit. Tjetri, që është konstatues ndaj fenomenit dhe shpotitës ndaj qeverisë, por pa paraqitur ide alternative sesi mund të dilet gradualisht nga kjo situatë.
Nëse nuk merren masa të shpejta, krahas rreziqeve të mësipërme, Shqipëria do të përballet edhe me tri rreziqe të tjera që kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë e skemës së pensioneve, kujdesit shëndetësor, dhe atij shoqëror. Kësisoj, dorëzimi para “kërcënimit demografik” nuk është opsion, e as zëvendësimi me politikat e imigracionit.

Është e domosdoshme të adresohen faktorët shtytës dhe tërheqës të emigracionit, duke insistuar në lidhjen e marrëveshjeve me shtetet që preferohen si destinacione, sidomos nga të rinjtë e mirëarsimuar. Kjo krijon një bazë për përdorimin e aseteve të krijuara falë kontributit të taksapaguesve shqiptarë dhe njëkohësisht i’a njeh të drejtën njerëzve që duan të lëvizin për një jetë më të mirë në veriun e Europës.

Gjithashtu, nevojiten politika aktive që formësojnë ekonominë e jetës. Aktivitetet duhet t’i riorientojmë drejt ekonomisë së jetës, që do të thotë më shumë demokraci, më shumë shëndet, më shumë arsim, më shumë ushqim të përballueshëm dhe të shëndetshëm, dhe natyrisht siguri.

Të dhënat nga shumë studime tregojnë se një pjesë e mirë e njerëzve nuk emigrojnë vetëm për arsye ekonomike, por për shkaqe që lidhen me modelin e qeverisjes, i cili asfikson shtresën e mesme, duke thelluar pabarazitë në shoqëri. Pabarazinë e statusit social-ekonomik, e të ardhurave, dhe mundësive të jetës.

Për të dalë nga kjo situatë na duhet të rishpërndajmë burimet dhe të ardhurat, por mbi të gjitha duhet të rishpërndajmë burimet e dijes dhe aftësive përmes arsimit. Politikat e arsimit kanë nevojë të rishikohen e zbatohen me një mendësi të re, duke pranuar me përulësi gabimet e së shkuarës. Programet e trajnimit me fokus teknologjinë janë të mirëpritura, por ato nuk mund të zëvendësojnë programet e arsimit. Na duhet të sigurojmë cilësi në mësimdhënie dhe në punë shkencore.

Struktura e ekonomisë shqiptare duhet të ndryshojë gradualisht. Ekonomia mbështetet kryesisht në degë si ndërtimi apo turizmi, që janë të përkohshme për mënyrën si duhet të zhvillohet vendi. Mënyra si duhet të rritet ekonomia duhet të jetë me produktivitet shumë të lartë, në mënyrë që të krijojë të ardhura më të mëdha. Pa arsim cilësor dhe dije është i pamundur produktiviteti i lartë. Na duhet të nxisim degët e reja të zhvillimit që bazohen tek industria e gjelbër, të zhvillojmë burimet e mëdha energjitike, që janë një pasuri e madhe, dhe burimet minerare për zhvillimin e industrisë së rëndë, dhe të orientojmë burimet njerëzore drejt degëve të reja.

Duke reflektuar mbi sfidat e mësipërme, të cilat jam përpjekur t’i analizoj me të ftuarit në podcastin tim “Public Square”, viti 2023 më përforcoi bindjen se nuk mund të vazhdojmë ta marrim për të mirëqenë faktin se jetojmë ditët më të mira të historisë tonë kombëtare, të faktorizimit e ndërveprimit rajonal e global, pa investuar më shumë për sigurinë, pa luftuar e rrënjosur demokracinë, dhe pa një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm që bazohet tek dija. Nëse të ardhmen tonë i’a lemë inercisë, nëse nuk ëndërrojmë për këtë të ardhme, nëse nuk kemi asnjë vizion, dhe nëse nuk kemi fuqinë dhe shpirtin për të luftuar për këtë të ardhme e këtë vizion, do të humbasim epërsinë historike që fituam në fillim të shekullit të njëzet e një.

Rruga Press

YouTube player