Në Serbi dhuna është haptazi tipar i pushtetit politik
A mund ta imagjinojë dikush këtë që i ka ndodhur Sanduloviçit në Serbi t’i ndodhte një politikani në Holandë, Belgjikë, Itali apo Suedi? Ne s’mund ta imagjinojmë të ndodhë diçka e tillë as në Kosovë.
Por, në Serbi, shtet i cili i ka hapur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian, dhuna është haptazi tipar i pushtetit politik.
Kështu ka qenë gjithmonë, kjo gjë nuk na habitë, sidomos ne shqiptarëve.
Ajo çfarë na çuditë është mirëkuptimi i BE-së dhe Perëndimit ndaj këtij shteti të dhunshëm që me aq ngulm duan ta paraqesin si anëtarin e tyre.
Cilat vlera të liberal-demokracisë mund t’i konstatojnë vërtetë vëzhguesit perëndimorë në Serbi?
Asnjë, përveç realitetit të një shtet ku Kisha, Rusia dhe Krimi e përcaktojnë qeverisjen.
Sigurisht edhe armiqësia dhe aspirata hegjemoniste ndaj popujve dhe shteteve fqinj.
Është e çuditshme se çfarë sheh Europa dhe Perëndimi tek Serbia të cilën e toleron për gjëra për të cilat nuk e toleron asnjë vend tjetër.
Serbia mund të jetë shtet i fortë ushtarakisht e ekonomikisht në rajonin tonë, mund të ketë edhe një vlerë të caktuar gjeopolitike, por Serbia nuk e ka dhe nuk mund ta ketë vlerën barazpeshuese politike të gjithë rajonit tonë. Serbia nuk e ka vlerën as të dy shteteve së bashku, e lere më të të gjithë rajonit.
Është e pakuptueshme toleranca e Perëndimit ndaj një shteti, pushteti i të cilit e privon popullin e vet nga demokracia, ndërsa e kërcënon në vazhdimësi stabilitetin e një rajoni të përbërë prej shtetesh shumë më demokratike.
Kjo sjellje e bashkësisë perëndimore bie ndesh edhe me një princip themelor të politikës së jashtme të Presidentit Biden i cili në fillim të mandatit pat proklamuar demokracinë si kushtin e çdo aleance të SHBA-ve!
Rruga Press