KryesoreLajme

Kearns: Më vjen mirë që Cameron ndodhet në Kosovë – koha të qëndrojmë së bashku, të palëkundur kundër irredentizmit

Alicia Kearns, kryetare e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe ka thënë se i vjen mirë që ministri i Jashtëm, David Cameron ndodhet për vizitë në Kosovë.

Kearns në një postim në Twitter shkruan se është koha që të ngrisin zërin për Kosovën dhe të qëndrojnë të palëkundur kundër irredentizmit.

“Më vjen mirë të shoh David Cameron sot në Kosovë. Britania e Madhe ka një rol të rëndësishëm për të luajtur si një zë i pavarur dhe për të sfiduar mungesën e drejtësisë në Procesin e Berlinit.

Është koha që ne ta gjejmë forcën dhe zërin tonë për Kosovën dhe të qëndrojmë të palëkundur me ta kundër irredentizmit”, shkruan deputetja britanike.

Ndryshe, muaj më parë kryetarët e Komisioneve të Jashtme Parlamentare të disa vendeve i kanë shkruar shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe ndërmjetësit të dialogut, Miroslav Lajçak.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Letra është e nënshkruar nga kryetarët e Komisioneve të Jashtme Parlamentare të Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Çekisë, Irlandës, Lituanisë, Estonisë, Letonisë, Belgjikës, Kroacisë, Danimarkës, Italisë dhe Bullgarisë.

Letra përmend në detaje sulmet e njëpasnjëshme, si agresionin serb më 24 shtator, kidnapimin e policëve, si dhe kërkon të dihet roli i Serbisë në sulmin e shtatorit, etj. Në letër po ashtu theksohet se agresioni i 24 shtatorit mund të kishte eskaluar po të mos ishte profesionalizmi i Policisë së Kosovës.

Në këtë letër i bëhet thirrje po ashtu BE-së që t’i largojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe, Iliri Kapiti kishte falënderuar deputeten britanike Alicia Kearns që ka marr drejtimin në këtë çështje të rëndësishme.

“Unë jam thellësisht mirënjohës për letrën drejtuar Josep Borrellit dhe Miroslav Lajcakut nga kryetarët e Komitetit të Jashtëm të disa vendeve evropiane, përfshirë Britaninë e Madhe. Përmbajtja e letrës pasqyron urgjencën e adresimit të realitetit aktual ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Unë e përgëzoj deputeten Alicia Kearns për marrjen e drejtimit në këtë çështje të rëndësishme dhe falënderoj të gjitha Kryesuesit për kontributin e tyre”, kishte shkruar ambasadori.

YouTube player