Gjeneralja amerikane: Rusia po përpiqet vazhdimisht të destabilizojë Bosnjën dhe Hercegovinën dhe rajonin
Gjeneralja amerikane Pamela McGah, komandante e selisë së NATO-s në Sarajevë, ka deklaruar se NATO-ja po monitoron nga afër situatën në Bosnje dhe Hercegovinë duke theksuar se nuk do të lejojë që të destabilizohet – duke paralajmëruar se Rusia vazhdon ta luajë rolin e një shteti që minon stabilitetin në gjithë rajonin.
McGah ka qenë shefe e shtabit në Sarajevë për dy vjet, i cili përfshin oficerë nga vendet e NATO-s me detyrën për të ndihmuar reformën e sektorit të mbrojtjes të Bosnjë-Hercegovinës dhe trajnimin e forcave të saj të armatosura.
“Aleatët e NATO-s mbështesin fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të BeH”, tha gjeneralja amerikane.
Selia e NATO-s në Sarajevë u krijua në vitin 2004 kur përfundoi misioni i SFOR-it, i udhëhequr nga Aleanca deri atëherë, dhe mandati i saj për ruajtjen e paqes në Bosnje dhe Hercegovinë u mor nga forcat ushtarake të Bashkimit Evropian përmes misionit Althea.
Ky mision zgjatet çdo vit me vendime të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe në zbatimin e detyrave të tij, EUFOR mbështetet në mbështetjen e NATO-s përmes marrëveshjes “Berlin plus” të vitit 2003, e cila i lejon Bashkimit Evropian të përdorë kapacitetet e NATO-s për operacionet e saj ushtarake në mbarë botën.
Në rastin e Bosnjës dhe Hercegovinës, NATO ka lënë të hapur mundësinë e marrjes së monitorimit të respektimit të pjesës ushtarake të Marrëveshjes së Dejtonit nga BE, në rast se Këshilli i Sigurimit refuzon të zgjasë mandatin e EUFOR-it për shkak të bllokadës ruse, kurse gjeneralja McGah konfirmoi në një intervistë për “Oslobogjenje” të Sarajevës se ky opsion është ende i vlefshëm, sepse NATO nuk do të lejojë një vakum sigurie që do të kërcënonte paqen në Bosnje dhe Hercegovinë.
“I bëjmë thirrje Rusisë që të luajë një rol konstruktiv në Ballkanin Perëndimor. Aleatët e NATO-s mbështesin fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës. Fokusi ynë kolektiv është pikërisht ai dhe ky do të jetë gjithmonë fokusi ynë”, tha McGah.
Ajo shtoi se i gjithë Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n, dhe për këtë arsye është forcuar kontingjenti ushtarak që vepron në Kosovë, që nga ana tjetër ka efekt në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në vendet e tjera të rajonit.
Duke komentuar situatën e brendshme në Bosnje dhe Hercegovinë të shënuar nga tensione të vazhdueshme politike, McGah tha se NATO pret sjellje të përgjegjshme nga liderët politikë në Bosnje dhe Hercegovinë, por në të njëjtën kohë monitoron nga afër se çfarë po bëjnë.
“Jemi të shqetësuar për retorikën secesioniste dhe përçarëse, si dhe për ndikimin malinj të jashtëm, duke përfshirë atë nga Rusia, e cila rrezikon të kërcënojë stabilitetin dhe të bllokojë reformat. Ne i bëjmë thirrje Rusisë të luajë një rol konstruktiv në Ballkanin Perëndimor. Fatkeqësisht, shohim rregullisht sesi Rusia bën pikërisht të kundërtën. Shohim hakim, dezinformim, frikësim dhe aktivitete të tjera destabilizuese. NATO respekton plotësisht të drejtën sovrane të secilit shtet për të zgjedhur marrëveshjet e veta politike dhe të sigurisë. Ne i bëjmë thirrje Rusisë të bëjë të njëjtën gjë. Është një parim themelor i sigurisë evropiane për të cilën ne jemi të gjithë të përkushtuar, duke përfshirë Rusinë”, tha McGah.
Rruga Press