Bota

Rusia mbështet regjimin e Vuçiqit, ambasadori: Ai më informoi se Perëndimi qëndron pas trazirave në Beograd

Ambasadori rus Bocan Kharchenko tha për televizionin “Russia 24” se presidenti serb e informoi atë se Perëndimi qëndron pas trazirave të djeshme në Beograd.

“Opozita filloi protestat, të cilat u mbështetën nga jashtë. Vuçiqi foli për këtë, nuk mund të flas për detaje sepse informacioni është konfidencial. “Por ai ka prova të pakundërshtueshme se nxitja për trazira erdhi nga Perëndimi”, tha Bocan Kharchenko. pas takimit me presidentin serb, transmeton N1.

Vuçiqi sot në profilin e tij në Instagram ka njoftuar se ka njoftuar ambasadorin Bocan Harchenko për trazirat e mbrëmshme në Beograd dhe ka përsëritur se “Do të bëjmë gjithçka për të ruajtur sigurinë e qytetarëve tanë dhe të Serbisë sonë”.

“Kemi shkëmbyer mendime edhe për marrëdhëniet dypalëshe, situatën në rajon dhe zhvillimet aktuale gjeopolitike. Ambasadorit i kam përcjellë dëshirën që dy popujt tanë t’i presin festat e ardhshme dhe Vitin e Ri në paqe dhe mirëqenie”, tha Vuçiqi.

Lexo më shumë  “I famshëm” për qëndrimet kundër NATO-s/ Zgjedhjet presidenciale në Rumani, kandidati pro rus është favorit

Me gjithë mbështetjen e madhe të marrë nga Rusia, Vuçiqi, përkundër protestave të opozitës dhe qytetarëve, ka vjelur dhe benefitet e gjuhës së kujdesshme të ambasadorit të SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, i cili është shprehur me tone gati neutrale pas manipulimit masiv që iu bë zgjedhjeve të fundit atje.

Protestat në Beograd

Protesta e 24 dhjetorit nisi para selisë së Komisionit Republikan Zgjedhor, ku mijëra qytetarë u mblodhën me ftesë të koalicionit opozitar, “Serbia kundër dhunës”, që nuk njeh rezultatet e zgjedhjeve të 17 dhjetorit, pasi sipas opozitës, Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet ka fituar zgjedhjet përmes mashtrimeve zgjedhore.

Kërkesa për anulimin e zgjedhjeve në të gjitha nivelet po kërkohet për shkak të, siç është thënë, “pengimit të vullnetit të qytetarëve”.

Lexo më shumë  OBSH: Deri në vitin 2050, rreth 1,2 miliardë njerëz mund të zhvendosen prej klimës

“Këto zgjedhje po anulohen”, ka thënë Marinika Tepiq, udhëheqëse e listës “Serbia kundër dhunës”, e cila gjendet në grevë urie që nga 18 dhjetori, në shenjë proteste me rezultatet zgjedhore.

Më shumë se 30 demonstrues janë arrestuar gjatë protestës së koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës” më 24 dhjetor në Beograd.

Gjatë protestës, një grup personash të maskuar kanë tentuar të hyjnë në Kuvendin e Beogradit, kanë thyer xhamat dhe dyert, ndërsa policia brenda ndërtesës ka hedhur gaz lotsjellës ndaj tyre.

Kjo ishte protesta e shtatë e opozitës në kryeqytetin e Serbisë, me kërkesën për anulimin e zgjedhjeve të mbajtura më 17 dhjetor. Lista “Serbia kundër dhunës” pretendon se Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet vodhi zgjedhjet, ndër të tjera, duke regjistruar në mënyrë fiktive votuesit e tyre nga vende jashtë Serbisë.

YouTube player