Këshilli i Sigurimit i OKB-së miraton “rezolutën e vonuar” për Gazën
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar të premten rezolutën për përpjekjen për të rritur ndihmën humanitare për Rripin e Gazës dhe bëri thirrje për hapa të menjëhershëm “për të krijuar kushtet për ndërprerje të luftës”, shkruan BBC.
Rezoluta u miratua pas një vonese shtatë-ditore në votim dhe negociatave intensive për të shmangur një veto nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA-ja abstenoi sot.
Mes reagimeve globale mbi numrin në rritje të vdekjeve në Gaza në 11 javët e sulmeve izraelite, Shtetet e Bashkuara nuk lejuan që këshilli prej 15 anëtarësh të miratonte rezolutën e hartuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Anëtarët e mbetur të Këshillit votuan në favor të rezolutës, përveç Rusisë, e cila gjithashtu abstenoi.
Rezoluta e miratuar “kërkon që të ndërmerren hapa urgjent për të mundësuar menjëherë qasje të sigurt, të papenguar dhe të zgjeruar humanitare dhe për të krijuar kushtet për ndërprerje të luftës”.
Një draft fillestar bëri thirrje për “ndërprerje të menjëhershme dhe të qëndrueshme të luftës” për të lejuar futjen e ndihmave.
Në fillim të këtij muaji, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së prej 193 anëtarësh bëri thirrje për armëpushim humanitar, me 153 vende që votuan në favor, por SHBA vuri veton në Këshillin e Sigurimit.
Një pikë kyçe e mosmarrëveshjes gjatë negociatave mbi rezolutën e miratuar të premten ishte një propozim fillestar për të autorizuar Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për të ngritur mekanizëm në Gaza për të monitoruar ndihmën nga vendet që nuk janë palë në luftë.
U arrit “kompromis i zbehtë” për t’i kërkuar Guterresit të emërojë një koordinator të lartë humanitar dhe të ngre një mekanizëm të OKB-së për të përshpejtuar ndihmën për Gazën përmes shteteve që nuk janë palë në konflikt.
Koordinatori ka përgjegjësi “për të lehtësuar, koordinuar, monitoruar dhe verifikuar në Gaza, sipas rastit, natyrën humanitare” të të gjithë ndihmave.
Këshilli gjithashtu u bëri thirrje palëve që janë në luftë “të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar dhe të dënojnë të gjitha sulmet ndaj civilëve dhe objekteve civile, si dhe të gjithë dhunën dhe armiqësitë kundër civilëve dhe të gjitha aktet e terrorizmit”.
Rruga Press