Aksidentet rrugore, Sveçla: Masa të ashpra për policët e shoferët neglizhentë! Drejtori i Policisë së Kosovës: Pajisemi me radarë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka dhënë sot një deklaratë lidhur me sigurinë rrugore. Duke marrë shkasë nga aksidenti tragjik në Prizren ku humbënjetën tre të rinj, Sveçla theksoi se garat e shpejtësisë nga këta të rinj ishin kthyer në zakon ndërsa shtoi se do të ashpërsohen masat për policët dhe shoferët neglizhentë.
Ai tha se drejtori i Policisë ka marrë masa “idhur me neglizhencën e zyrtarëve policorë në trajtimin me prioritet të organizimit të garave të paligjshme”.
“Policia e Kosovës, të njëjtit grup ia kishte parandaluar dy herë organizimin e garave të tilla. Siç tashmë është bërë publike në media, të njëjtit kanë pasur gjoba të njëpasnjëshme nga Policia e Kosovës për tejkalim shpejtësie dhe rrezikim në komunikacion, ndërsa njërit prej tyre i është konfiskuar patent-shoferi për tejkalim shpejtësie dhe filmim e publikim të këtyre garave”, tha Sveçla.
Këtë vit, ministri tha se 104 qytetarë kanë humbur jetën në aksidente, ndërsa Policia e Kosovës ka shqiptuar 76 gjoba ndaj personave që kanë organizuar gara të jashtëligjshme automobilistike.
Në mesin e masave të ndërmarra për parandalimin e përsëritjeve të këtyre aksidenteve, Sveçla tha se “zyrtarët e trafikut janë pajisur me kamera trupore” dhe se janë futur në funksion “vetura me pajisje inteligjente për evidentimin elektronik të shkeljeve në komunikacion”.
Ndërkohë edhe Drejtori i Policisë së Kosovës, tha se do të vendosen edhe radarë që do të bëjnë të mundur evidentimin e shkeljeve të qarkullimit rrugor.
Rruga Press