Instituti Amerikan vlerëson se janë reale gjasat për një sulm të ri në pjesën veriore të Kosovës
Instituti amerikan, Robert Lansing, në një raport të publikuar të hënën, ka konstatuar se një sulm tjetër mund të ndodhë ne veri të Kosovë i ngjashëm me atë të 24 shtatorit në Banjskë. Për këtë deputeti nga pushteti Enver Dugolli thotë se gjasat për këtë sulm janë të mëdha, ndërkaq eksperti i Sigurisë, Burim Ramadani, e sheh shqetësuese mbështetjen e grupeve serbe në veri nga Serbia, si potencial për tensione vlerëson së është edhe Bosnja e Mali i Zi.
Instituti Robert Lansing thekson mundësinë e një sulmi tjetër në pjesën veriore të Kosovës, nga një grup të furnizuar me armë nga Serbia, pas atij të 24 shatorit në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Në këtë raport thuhet se Serbia është e gatshme të nisë një konflikt të ri, duke u mbështetur nga grupet serbe jo vetëm në Kosovë, por edhe ato në Rusi.
Raporti përmend edhe shqetësimin që sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ngriti pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, në nëntor.
Sipas raportit, Serbia është duke e kërcënuar direkt edhe NATO-n nëpërmjet veprimeve në pjesën veriore të Kosovës.
“Gjasat për sulme të reja në Kosovë, veçanërisht pas incidentit të 24 shtatorit, mbeten të konsiderueshme. Ky shqetësim shtohet nga vëzhgimi i një grupi të organizuar të pajisur me mbështetje logjistike dhe armatim të rëndë që thuhet se është furnizuar nga Beogradi. Serbia duket e gatshme të nxisë konflikte të përhershme në rajon, duke shfrytëzuar jo vetëm grupet serbe brenda Kosovës, por edhe ato të rreshtuara me Moskën. Ndërsa një pushtim konvencional mund të mos jetë i pashmangshëm”, thuhet në raportin e RLI-së.
Mundësinë e një sulmi të ri në veri nuk e ka përjashtuar as kryeministri Albin Kurti.
“Nuk mund të përjashtojmë mundësinë e një sulmi, sepse nuk varet nga ne”, ka thënë ai ditë më parë në një intervistë për gazetën gjermane, “Stern”
E deputeti i partisë në pushtet, Enver Dugolli, thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, po tregon qasje të rrezikshme për institucionet e sigurisë ndërkombëtare e vendore.
“Jo vetëm institucionet e Kosovës, por edhe institucionet e sigurisë, globale, ndërkombëtare, siç është NATO-ja, EULEX, e kështu me radhë, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë kuptuar dhe po e kuptojnë gjithnjë e më shumë, sa është rrezik me këtë qasje të Serbisë të udhëhequr nga një diktator”, tha Dugolli.
Por, ish-drejtori i Inspektoratit të Agjencisë së Inteligjencës të Kosovës, Burim Ramadani, konsideron se Serbia ka konfirmuar qysh më 24 shtator, mundësinë e sulmit tjetër ndaj sovranitetit të Kosovës.
“Lidershipi i Serbisë, pas këtyre zgjedhjeve të fundit, ka rikonfirmuar qëndrimet dhe narrativen nacionaliste dhe ekstremiste, edhe si e tillë, ajo ka dëshmuar më 24 shtator se mund të bëjë veprime, ose mund të mbështesë si shtet veprime të grupeve terroriste të grupeve paramilitare, dhe si e tillë nëse Serbia nuk merr ndëshkime direkt sidomos lidershipi i Serbisë, nuk merr ndëshkim direkt, qoftë në listë të zezë apo veprime të tjera, jam i bindur se situata të tilla do të përsëritën, jo vetëm në Kosovë por edhe në Bosnjë – Hercegovinë, dhe Mal të Zi”, tha Ramadani.
KOHA u ka dërguar pyetje edhe NATO-s dhe KFOR-it, por nuk kanë kthyer përgjigje.
Më 24 shtator në fshatin Banjskë, një grup serbësh hynë përmes rrugëve ilegale, të armatosur rëndë, të cilët sulmuan Policinë. Gjatë ballafaqimit me policinë, mbetën të vrarë tre pjesëtarë të tij.
Rruga Press