Lajme

Kryeministri Kurti takon 55 studentë përfitues të bursave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar sot 55 studentë përfitues të bursave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, arritje të cilën e festuan nën ambientet e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”.

Kryeministri para studentëve u shpreh shumë krenar që ata janë pjesë e universiteteve publike të Kosovës, derisa i uroi suksese të mëtejme.

“Në vitin akademik 2022/2023 kemi ndarë për herë të parë 26 bursa në vlerë 1000 Euro për studentët e vitit të parë universitar nga komunitetet rom, ashkali, egjiptian. Ndërsa në vitin akademik 2023/2024 po mbështesim me bursa 55 studentë nga këto komunitete, prej tyre 35 vajza dhe 20 djem”, tha kryeministri duke kujtuar se synimi për vitin e ardhshëm është dyfishimi i numrit.

Përveç studentëve, përfitues të bursave në shumë prej 300 eurosh kanë qenë edhe nxënësit e shkollave të mesme. Njëkohësisht, vazhdon të ketë lehtësime për regjistrimin në klasën e 10-të në shkolla profesionale e gjimnaze, si dhe vende te rezervuara për regjistrim të kandidatëve nga komunitetet joshumicë në institucionet e arsimit të lartë.

Lexo më shumë  Punësimi në rënie, bujqësia dhe industria në Shqipëri humbin mijëra vende pune në 3-mujorin e dytë

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbëri Nagavci, pasi i përgëzoi studentët për përfitimin e bursës, tha se një shoqëri e cila kujdeset për të gjithë qytetarët, një Qeveri e cila ofron mbështetjen e merituar për secilin, dhe një shtet që i krijon kushtet secilit të ri dhe të re ta arrijë maksimumin e potencialit të vet, kanë qenë jo vetëm zotimet tona, por edhe ajo që na ka prijë në programin tonë dhe në jetësimin e këtyre politikave në praktikë.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, u shpreh se kjo është Qeveria e parë që i mbështet studentët jo vetëm deklarativisht dhe jo vetëm me rezervimin e një vendi në fakultetet publike, mirëpo edhe një bursë përcjellëse.

Lexo më shumë  SPAK sekustron pasuri të tjera në Palasë, dyshohet se janë të Belinda Ballukut

Me arsimin në prioritet, Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të angazhohet që për të rinjtë e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, të ketë kushte më të mira për mësim dhe mbështetje të nevojshme për të vazhduar studimet dhe ngritjen akademike e profesionale.

Pas fjalimeve hyrëse, u zhvillua edhe bashkëbisedim ndërmjet kryeministrit Kurti, ministrave të pranishëm dhe studentëve përfitues të bursës nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, të cilët ndanë përvojat e tyre, dhe në të njëjtën kohë falënderuan kryeministrin dhe Qeverinë për mbështetjen.

Rruga Press

YouTube player