Deputetja britanike, Kearns: Kosova i përmbushi kërkesat, Vuçiqi u tall me procesin
Diplomatët ndërkombëtarë thonë që nuk ka arsye të mirë të hiqen masat ndaj Kosovës, nën arsyetimin se Kosova akoma nuk i ka hequr kryetarët e komunave veriore nga objektet zyrtare.
Megjithatë, deputetja britanike nuk i arsyeton fare diplomatët ndërkombëtarë, pasi që sipas saj realiteti është që BE-ja po përpiqej ta ndëshkonte kryeministrin e Kosovës sepse ai nuk po bënte çdo gjë që ata kërkonin nga ai “dhe ky është supozimi i vetëm tek i cili mund të dal”.
“Siç unë e kuptoj procesin, Kurti shkoi në diskutime që u mbajtën në nëntor, ai u pajtua me kërkesat e BE-së, dhe Serbia prapë u tërhoq. Presidenti Vuçiq edhe një herë u tall me procesin, refuzoi të nënshkruante çfarëdo marrëveshje që iu kërkua nga BE, ndërsa Kosova prapë i përmbushi kërkesat e procesit por në fund vazhdoi ndëshkimi ndaj saj e jo ndaj dikujt tjetër”, tha Kearns në një intervistë.
Në takimin e 26 tetorit në Bruksel, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023. Ndërkaq, Kosova e ka pranuar Marrëveshjen Bazike të Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe Aneksin Zbatues të Ohrit të 18 marsit 2023.
Sipas Kearns, realiteti është që duhet të shohim një reagim të matur të BE-së që do shpinte te heqja e këtyre masave negative që janë vendosur në mënyrë të njëanshme ndaj Kosovës.
Bashkësia ndërkombëtare i kërkoi vazhdimisht Kosovës të organizojë zgjedhje të reja në veri, ku aktualisht prijës të komunave me shumicë serbe janë kryetarët shqiptarë, gjë që hasi shumë kundërshti e protesta nga komuniteti serb.
Së fundmi, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se SHBA-ja pret nga Qeveria e Kosovës që të jetë fleksibile dhe të bëjë gjithçka që mundet “për të garantuar që banorët që dëshirojnë ta largojnë kryetarin e komunës së tyre, të mund të veprojnë ashtu”. /Kallxo.com/
Rruga Press