Kamberi: S’ka marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë nëse anashkalohet Lugina
Shaip Kamberi, bartës i listës “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon” për zgjedhjet e së dielës në Serbi, ka thënë se s’do të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë nëse anashkalohet Lugina e Preshevës. Për këtë, ai thotë se ka marrë mbështetje edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Sipas Kamberit, Lugina e Preshevës mund të jetë burim tensioni në të ardhmen.
“Nuk mund të ketë marrëveshja mes dy shteteve, nëse anashkalohet Lugina. Lugina mund të jetë burim tensioni për raportet ndërshtetërore. Është një çështje e domosdoshme për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Kurti e mbështet kërkesën tonë për të drejta dhe barazi”, ka thënë ai.
Kamberi ka kërkuar që qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë të bëjnë më shumë për t’i ndihmuar shqiptarët në Luginë.
“Ka shumë hapësirë që Kosova e Shqipëria të bëjnë më shumë për shqiptarët në Luginë. E kemi përshëndetur vendimin e Kosovës për të ndarë fondin prej 2 milionë eurove për ne. Koha për mbështetje retorike ka shkuar moti, Lugina përballet me trysni të vazhdueshme nga Serbia. Ndihma që duhet të vijë nga Kosova e Shqipëria duhet të jetë konkrete”, ka thënë deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë deri tani.
Kamberi do t’i prijë listës “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon” në zgjedhjet parlamentare dhe komunale të 17 dhjetorit që mbahen në Serbi. Ai ka thënë se gjatë dy javëve të fushatës janë angazhuar për një mobilizim të madh.
“Beteja jonë është të kemi përfaqësim në komuna dhe në nivelin parlamentar. Synojmë përfaqësim për shqiptarët, që pozita, jeta dhe mirëqenia e shqiptarëve në Luginë të përmirësohet. Kjo kërkon mobilizim të përgjithshëm, të secilit votues tonë. Serbia nuk garanton ulëse për pakicat. Prandaj, këto dy javë jemi angazhuar për mobilizim dhe secili votues të dalë të votojë”, ka shtuar Kamberi.
Shqiptarët në këto zgjedhjeve garojnë në dy lista të ndara, ndërsa Kamberi ka thënë se kryeministri Kurti është përpjekur për t’i bashkuar, por që sipas tij, kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, nuk ka dashur.
Kamberi e ka akuzuar Serbinë që po përdor politikë diskriminuese ndaj shqiptarëve, “me qëllimin e vetëm, shpopullimin e Luginës së Preshevës”.
Rruga Press