Opinion/Aktualitet

Berishizmi që i kanoset Partisë Socialiste

Në kongresin e fundit të Partisë Socialiste nuk munguan kritikat ndaj opozitës. Sidomos ndaj asaj Berishiste që është reduktuar tek interesat e një individi dhe të familjes së tij. Është një kritikë e arsyeshme por që injoron berishizmin e Partisë Socialiste.

Si kurrë më parë PS-ja është njehsuar sot me liderin e saj Edi Rama. Edhe identifikimi i saj me Enver Hoxhën në kohën e komunizmit nuk kishte një dimension kaq të thellë personal. Në atë kohë njehsimi mes liderit dhe partisë bëhej nëpërmjet ideologjisë marksiste – leniniste, pishtar i të cilës supozohej se ishte Enveri.

Sot ky njehsim bëhet në mënyrë direkte duke e reduktuar partinë tek përmasat dhe humoret e liderit, pa ndonjë ideologji apo program specifik, përtej parullës “ne punojmë dhe modernizojmë” që ndryshe mund të përkthehet “ne jemi specialista”.

Sot njehsimi i PS-së me liderin e saj është shumë më tepër personal sesa ideologjik. Partia Socialiste është shndërruar në një zgjatim të liderit të saj jo sepse ai është ideolog i spikatur i socializmit, por sepse lideri ka privatizuar të gjithë pushtetin socialist. Ky është virusi berishist që e ka prekur sot Partinë Socialiste.

Një nga aspektet themelore të berishizmit është privatizimi i pushtetit politik të partisë dhe njehsimi i saj me liderin. Është një personalizim i thellë dhe aspak ideologjik i partisë si bashkësi politike. Në këtë aspekt berishizmi është i ndryshëm nga enverizmi, edhe pse prodhon efekte të ngjashme, siç është kulti i individit, autoritarizmi dhe mungesa e demokracisë.

Reduktimi i partisë politike tek personi apo familja e liderit jo vetëm e zhvesh atë nga identiteti politik, ideologjik dhe programor, por pamundëson edhe rinovimin e elitës politike. Kjo për arsyen e thjeshtë sepse karriera brenda partisë nuk bëhet në bazë të aftësive dhe garës politike por thjesht në funksion të humorit të shefit.

Për këtë arsye lidershipi i partisë gradualisht popullohet ose me servila të paaftë ose me njerëz që janë të aftë por duhet të budallepsen për të mos bezdisur shefin. Nuk është rastësi që Partia e Punës dje degradoi tek personazhe si Lenka Cuko. Ashtu sikurse nuk është rastësi që berishizmi sot promovon personazhe qesharake.

E gjithë kriza e Partisë Demokratike gjatë dy viteve të fundit mund të përmblidhet tek paaftësia e saj për të rinovuar lidershipin politik. Ajo që ka nxjerrë në pah kjo krizë, përtej njehsimit të thellë të PD-së me Berishën, është mjerimi i logjikës dhe artikulimit politik të lidershpiti të ri që nga Basha deri tek Bardhi. Arsyetimi që ky i fundit, për shembull, i bënte lëvizjes së grupit të tij nga Basha tek Berisha të linte me gojë hapur për mungesën totale të logjikës politike dhe për paturpësinë e thellë parimore.

Lexo më shumë  Analiza/ Si të projektosh dhe të menaxhosh një ferr urban në Tiranë

Nuk kemi të bëjmë me një paaftësi të rastësishme. Askush nuk mund të krijojë kapital, personalitet apo një profil të fortë politik kur e gjithë karriera e tij bazohet tek servilizmi ndaj liderit dhe jo ndaj ndonjë ideje, ideologjie apo programi politik. Në këto kushte për të bërë karrierë duhet të përsërisësh publikisht budallëqet që thotë kryetari, i cili me përqendrimin e pushtetit dhe me rrethimin nga servilët degradon me shpejtësi.

Shembulli i Lulëzim Bashës e tregon më së miri këtë proces pervers. Dështimi i tij politik nuk është rastësi, dhe as nuk mund të reduktohet tek vetitë personale. Mungesa e kredibilitetit dhe e kapitalit politik të Bashës ishte pasojë direkte e servilizmit të tij ndaj Berishës. Për të ruajtuar karrierën e tij në PD-ë ai u detyrua të ripërsëriste si papagall të gjitha broçkullat e shefit Berisha si për Gërdecin edhe për vrasjet makabre të 21 janarit.

Ndaj nuk është çudi që Basha nuk mundi të krijonte një profil politik të tij as nën hijen e rëndë të Berishës dje dhe as jashtë kësaj hije sot. Nën hijen e shefave të rëndë si lisa mbijnë vetëm shkurre politike, pa verb dhe pa rrënjë të thella në elektorat. Kjo është fara politike që përzgjedhin dhe ujisin shefat për pasardhësit e tyre.

Ky ishte rasti i Ramiz Alisë dje, ky është rasti i Lulëzim Bashës sot. I njëjti proces u pa edhe në kongresin e fundit të Partisë Socialiste që në thelb ishte një brohoritje për shefin. Aty Rama u shfaq si një lis i lartë politik i rrethuar nga bar e shkurre. Rregulla e artë për të bërë karrierë në PS tashmë është “mos i prish qejfin shefit”. Ndaj Partia Socialiste sot i ngjan më shumë se kurrë Partisë Demokratike dje. Natyrisht socialistëve shefi i tyre i duket më i arsyeshëm, më qytetar dhe më evropian, se Berisha.

Lexo më shumë  Televizioni, gjyshi i medias, po përjeton krizë identiteti. Por në vend që të plaket me hijeshi, duke treguar përvojnë dhe mençurinë, ka vendosur të imitojë TikTok-un

Debate me dyer të mbyllura, Berisha kërkon protestë para Kuvendit, Noka -Bardhi kundër: Do dukemi sikur e thërrasim për SPAK-un

E megjithatë fenomeni është i njëjtë ndonëse i paketuar më bukur. Sot socialistët në parlament duhet të justifikojnë bllokimin e komisioneve parlamentare të opozitës duke përsëritur absurditete që thotë shefi i tyre. “Nuk mund të ngremë komisione hetimore se po bëjmë ligjin e ri”, “janë ngritur shumë komisione hetimore anti-kushtetuese”, “non-gratat nuk mund të ngrenë komisione hetimore” janë “argumente” bosh që nuk justifikojnë dot refuzimin e të gjitha komisioneve hetimore të opozitës në një vit.

E megjithatë të gjithë deputetët socialist i përsërisin këto broçkulla publikisht vetëm e vetëm sepse ky është humori i shefit. Kështu roli i deputetit socialist reduktohet tek bllokimi i komisioneve hetimore të opozitës sepse për kontroll të ekzekutivit as që bëhet fjalë. Për pasojë parlamenti shqiptar nga një inkubator i prodhimit të elitave të reja politike kthehet në një varrezë të talentit politik. Ndaj berishizmi socialist po degradon elitën politike të kësaj partie sot ashtu sikurse Berisha e bëri dje në PD.

Mjafton të shikosh se si kryeministri e keq-përdor kryetaren e kuvendit për të dhunuar të drejtat e opozitës. Në një Republikë Parlamentare pozicioni i kryetares së parlamentit është një trampolinë e madhe politike për tu projektuar si lider në të ardhmen. Ama kur ky pozicion përdoret për të bllokuar komisionet hetimore të opozitës ai thjesht shërben për degradimin dhe jo promovimin e imazhit politik të kryeparlamentares, qoftë si institucion qoftë si politikane.

Ky është berishizmi socialist që e ka kanalizuar të gjithë kapitalin dhe pushtetin socialist tek lisi politik Rama duke i transformuar elitat politike socialiste në shkurre administrative pa verb dhe pa rrënjë të thella politike. Ai nuk fshihet dot pas imazhit evropian që projekton PS-ja sepse në thelb është një fenomen thellësisht autoritar. Aq më pak mund të fshihet berishizmi socialist tek denoncimi i berishizmit opozitar. Përkundrazi degradimi i opozitës berishiste sot është fati që e pret PS-në nesër nëse edhe kjo parti reduktohet tek lideri, pavarësisht përmasave të tij./

YouTube player