Lajme

Qeveria e Shqipërisë nuk po “shpenzon” dot paratë, mbeten ende 2,1 mld euro ose 32% e buxhetit të 2023

Në fund të 10 mujorit mbeti pa u ekzekutuar 32% e buxhetit të rishikuar të vitit 2023 ose mbi 2,1 miliardë euro.

Sipas ndryshimeve të fundit në aktin normativ, shpenzimet totale në buxhetin e këtij viti pritet të arrijnë në 705,6 miliardë lekë, por ndërkohë deri në fund të tetorit janë shpenzuar 482 miliardë lekë dhe mbeten për tu alokuar edhe 223 miliardë lekë të tjera.

Përqendrimi i një të tretës së buxhetit vetëm në një muaj e gjysmë, vë në dyshim eficiencën e shpenzimeve dhe mund të krijojë disa zhbalancime makroekonomike, si psh ndikimet negative në inflacion. Rregulli buxhetor kërkon që faturat e pagesave të jepen në bazë të situacioneve të punimeve, të cilat janë duke u paguar masivisht në muajt e fundit të vitit.

Të dhënat ditore mbi pagesat e thesarit po tregojnë për flukse të larta pagesash për kompanitë me të cilat qeveria ka kontrata për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Në gjysmën e dytë të nëntorit dhe dhjetor pagesat e thesarit shumëfishohen në krahasim me muajt e tjerë të vitit.

Vitin e kaluar të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se pagesat ditore që çelen nga thesari arritën në rreth 12 miliardë lekë ose rreth 100 milionë euro më datë 27 dhjetor 2022. Kjo shumë ishte 8-10 herë më e lartë se pagesat ditore përgjatë gusht-nëntor 2022.

I gjithë mekanizimi i mosrealizimit të buxhetit në kohë lidhet me investimet kapitale. Edhe pse fondet për këtë zë nuk ishin realizuar as 50 për qind, në aktin normativ që ndryshoi buxhetin 2023, zëri i investimeve kapitale u rrit me tej në vend që të ulej. Pas ndryshimeve investimet kapitale për këtë vit janë në shumë 136,6 miliardë lekë nga 123,9 miliardë lek që ishte në fillim të vitit. Deri në fund të 10 mujorit ishin shpenzuar vetëm 54,3 miliardë lekë për investimet publike ose 40 për qind e planit vjetor, teksa në dy muaj mbeten për tu shpenzuar edhe 82 miliardë lekë.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

Të dhënat të detajuara nga pagesat thesarit tregojnë se pjesa më e madhe e tyre po shkon për kompanitë e ndërtimit që kishin kontrata me qeverinë.

Pagesat buxhetore në ditët e fundit të vitit nisën të bëhen më agresive që nga viti 2021, ku Banka e Shqipërisë raportoi rritje jo të zakontë të depozitave të bizneseve në lek të krijuara nga pagesat e qeverisë.

Pagesat për investime publike, bonusi i pensionistëve dhe shpërblimet që jepen në fund vit edhe nga sektori privat favorizojnë rritjen e inflacionit ose në rastin e më të mirë pengojnë uljen e ritmeve të rritjes së çmimeve./Monitor

YouTube player