Sot shorti i Euro 2024! Kombëtarja mëson kundërshtarët
Sot, duke nisur nga ora 18:00 hidhet shorti i fazës finale të “Euro 2024” dhe Shqipëria mëson kundërshtarët. 21 skuadrat e kualifikuara deri më tani dhe 3 të tjerat që do të dalin nga përballet e play-off janë të ndara në 4 vazo me nga 6 ekipe dhe do të shortohet me njëra-tjetrën për të përcaktuar 6 grupet me nga 4 skuadrat të Gjermani 2024.
Shqipëria ndodhet në vazon e dytë së bashku me Hungarinë, Turqinë, Rumaninë, Danimarkën dhe Austrinë me të cilat nuk mund të përballemi. Në vazon e parë janë ekipet e forta duke nisur me Gjermaninë organizatore që do pozicionohet në grupin A dhe Portugalia, Franca, Spanja, Belgjika dhe Anglia. Në vazon e tretë ekipet që duhen evituar janë Holanda e Kroacia ndërsa rivalë më të pranueshëm janë Skocia, Sllovenia, Sllovakia e Çekia së cilës i morëm 4 pikë në eliminatore.
Në vazon e katërt ndodhet Italia kampione në fuqi, Serbia e Zvicra dhe do të pozicionohen edhe tre fitueset e play-off-eve. Në play-ofin A fituesja do të dalë nga përballjet Poloni-Estoni e Uells-Finlandë. Fituesi i play-off B nga sfidat Bosnje Hercegovinë-Ukrainë dhe Izrael-Islandë dhe fituesi I play-off C nga duelet Greqi-Kazakistan e Gjeorgji-Luksemburg.
Për Shqipërinë, mundësitë janë nga më të ndryshmet që nga një short i pranueshëm e deri tek një grup “ferri”. Për fazën me eliminim të Europianit kualifikohen dy ekipet e renditura të parat dhe katër të tretat më të mira. Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në histori në Europian si fituese e grupit E eliminator. Europiani i Gjermanisë do të zhvillohet në dhjetë qytete, nga 14 qershori deri në 14 korrik të vitit të ardhshëm.
Rruga Press