“Tokyo 2020”: Xhudisti niset për në shtëpi, përjashtohet nga Olimpiada. Arsyeja, politike.
Xhudist algjerian Fethi Nourine, konkurent në peshën deri 73 kg, është pezulluar nga Lojërat Olimpike dhe është dërguar në shtëpi, pasi u tërhoq nga gara për arsye politike, se nuk donte të ndeshej me xhudistin izraelit Tohar Butbul. Së bashku me të është pezulluar edhe trajneri i tij Amar Benikhlef.
Nuk është hera e parë që Nourine tërhiqet nga gara, për të shmangur përballjen me një kundërshtar izraelit, gjë të cilën e ka bërë edhe në kampionatin botërore më 2019 në Tokio.
Në një deklaratë për shtypin, Federata Ndërkombëtare e Xhudos, ka theksuar se sjellja e të dy algjerianëve ishte “në kundërshtim të plotë me filozofinë saj, e cila ka një politikë të rreptë jo-diskriminuese, duke promovuar solidaritetin si një parim kryesor, të përforcuar nga vlerat e xhudos,”– thuhet në këtë deklaratë, duke shtuar se Komision Disiplinor do të vendoste për sanksione të mëtejshme, ndaj sportistit algjerian dhe trajnerit të tij “përtej Lojërave Olimpike”.
Ndërkohë, Komiteti Olimpik Algjerian ka tërhequr akreditimin e xhudistit Nourine dhe trajnerit Benikhlef, duke konfirmuar se do t’i dërgonte në shtëpi. Nuk është hera e parë që xhudistët izraelitë i shohin kundërshtarët e tyre të tërhiqen ose refuzojnë të ndeshen me ta.
Rruga Press

