Rritja e çmimeve të banesave/ Raporti i OKB: Pastrimi i parave faktor kontribuues
Tirana cilësohet si një nga shtatë kryeqytetet kryesore europiane me nivele të larta të papërballueshmërisë së blerjes së një banese.
Një raport i Komisionit Ekonomik për Europën në Kombet e Bashkuara që ka bërë një vlerësim të profilit të Shqipërisë në aspektin e zhvillimit urban, strehimit dhe menaxhimit të tokës nënvizon gjithashtu se rritja e çmimeve mund të jetë ndikuar ndoshta edhe nga pastrimi i parave.
“Zhvillimet formale të organizuara synojnë segmente të banesave me çmime të larta. Deri në 32 për qind e pronave rezidenciale dhe komerciale të shitura në gjashtëmujorit të parë të vitit 2021 janë blerë nga jorezidentë; pastrimi i parave ndoshta ka qenë një faktor kontribuues i rritjes së çmimeve në Tiranë dhe në zonat bregdetare.
“Tirana është ndër shtatë qytetet kryesore evropiane me nivele të larta të papërballueshmërisë së banesave” thuhet në raportin e dedikuar për Shqipërinë.
Ky i fundit në këtë kontekst analizon se blerja e një banese nga familjet me të ardhura të ulëta është bërë e vështirë ose e papërballueshme.
“Në këtë sfond, ndërtesat me shumë apartamente të trashëguara nga epoka socialiste vuajnë nga mungesa e investimeve dhe mungesa e mirëmbajtjes. Shkalla e mbipopullimit për popullsinë e përgjithshme është më shumë se 58 për qind, që është më e larta në Evropë, me përjashtim të Malit të Zi.
Këto pabarazi strukturore në tregjet e banesave e bëjnë të papërballueshme aksesin në strehim për grupet me të ardhura të ulëta” vlerëson raporti.
Dokumenti i publikuar së fundmi parashtron se në Shqipëri, neni 59 i Kushtetutës njeh të drejtën për strehim të përshtatshëm dhe të përballueshëm si një të objektivave socialë të Shtetit Shqiptar dhe neni 18 për barazinë, siguron mbrojtjen e grupeve të ndryshme shoqërore kundër çdo forme diskriminimi.
“Megjithatë, pas privatizimit masiv dhe ndërtimeve informale në vitet 1990, sektori i banesave në Shqipëri dominohet nga zotërimi privat i shtëpive, me shumë shtëpi të reja të vetë-ndërtuara dhe ndërtesa të tjera të ngritura fillimisht ilegalisht dhe në zonat e banuara.
Sektori me qira i banesave sociale (qoftë publik, privat apo i përzier) në Shqipëri është shumë i vogël, duke përfaqësuar rreth 0.1% të totalit të banesave të banuara.
Ky sektor nuk mund të konkurrojë tregun privat. Tregu i banesave me kredi hipotekore sapo po zhvillohet(pjesa e pronarëve të shtëpive që paguajnë një kredi të tillë është më e vogël se 1 për qind).
Kjo është pjesërisht për shkak të rolit të rëndësishëm të sektorit informal dhe të vetë-ndërtuar ku aktiviteti i ndërtimit bëhet përmes parave “cash” dhe remitancave” thuhet në raport.
Ky i fundit sjell në vëmendje edhe disa rekomandime që mund të merren nga institucionet në vendin tonë për të ndihmuar grupet më të dobëta dhe vënies në funksion në mekanizmave për akses në strehimin social./ Monitor
Rruga Press