Lajme

“Humbim 9 mln euro në muaj”, fasonët letër qeverisë: Jemi në krizë, çdo ditë ikin 50 punonjës

9 milion euro përllogariten në muaj humbjet e sektorit fason si pasojë ndikimit të drejtpërdrejtë të dobësimit të kursit të këmbimit, kryesisht të monedhës europiane. Shoqata Pro-Eksport Albania deklaroi se shumë biznese janë mbyllur dhe të tjerat kanë reduktuar linjat e prodhimit.

“Ne dita ditës kemi një humbje në rreth 50 punonjës që largohen nga sistemi i punës në vendin tonë. Po humbasim konkurrueshmërinë tonë në krahasim me vendet ballkanike. Bizneset prodhuese të sektorit tashmë kanë filluar të reduktojnë linjat prodhuese e disa të tjerë kanë filluar mbylljen e bizneseve, pasi kostot deri në pritje të ndryshimit të situatës janë të larta dhe kjo ka çuar deri më sot që bizneset të rrisin borxhin që kanë me  DPT-n dhe Bankat e nivelit të 2”, bën me dije Shoqata Pro-Eksport Albania.

Instituti i Statistikave raporton për një rënie të vlerës së  eksporteve me 47.4 milionë euro në 10 muaj, ndërsa shoqata thotë se humbjet janë edhe më të mëdha. Në një letër të drejtuar Ministrisë së Financave por dhe Sipërmarrjes, përveç kërkesë për dialog, sektori thotë se duhet miratuar edhe paketa që mbështet manifakturën.

Lexo më shumë  Pesë vjet nga tërmeti në Shqipëri ku humbën jetën 51 persona

“Paketa manifakturë ka mbi 3 vite në sirtarët e Ministrisë së Financave, nuk ka asnjë lloj reagimi”.

“Ajo çfarë ne kemi llogaritur është 150 euro humbje për punonjës, ose 9 milionë euro humbje në muaj në sektor”

Kursi i këmbimit, rritja e kostove, mungesa e theksuar likuiditeti por dhe amortizimi i impianteve prodhuese janë ndër problematikat e sektorit i cili zë mbi 38% të eksporteve Made in Albania dhe ka mbi 75,000 të punësuar.

Lexo më shumë  Murati publikon grafikun për kontratat 'njëburimore' ndër vite: Numri i kontratave njëburimore në mandatin tonë është përgjysmuar
YouTube player