Shqipëria rrezikon “grup ferri”, por shpreson “grupin e ëndrrave”
Në skenën e madhe, niveli i vështirësisë rritet. Kualifikimi i Shqipërisë në “Euro 2024” pritet të shoqërohet edhe me një sprovë të vështirë në fazën e grupeve. Me kuqezinjtë që pozicionohen në vazon e dytë, kundërshtarët e frikshëm përpara shortit ndodhen kudo.
Kombëtarja rrezikon atë që do të njihej si “grupi i ferrit”, nëse nga vazo e parë “peshkon” Francën apo Anglinë, nga vazo e tretë njërën ndërmjet Holandës dhe Kroacisë, ndërsa nga vazo e katërt ekipe si Italia dhe Zvicra.
Gjithsesi, shpresa vdes e fundit dhe në ëndrrën për të kaluar grupet për herë të parë në histori, besojmë edhe te bujaria e goglave. Shorti i ëndrrave do të ishte një grup ku Shqipëria do të kishte si rivale Gjermaninë organizatore, që është në momentin më të dobët të saj. Nga vazo e tretë alternativa të mira janë Sllovenia ose Sllovakia, ndërsa nga vazo e katërt dy ekipet që do të kualifikohen nga Liga B dhe C në Nations League, që me gjasë do të jenë Ukraina dhe Greqia.
Në rrugëtimin e saj në Euro 2024, momentalisht Shqipëria nuk rrezikohet vetëm nga një prej dhjetë pretendenteve për titullin kontinental. Bëhet fjalë për Danimarkën, që do të jetë në vazon e dytë të shortit.
Anglia dhe Franca cilësohen ekipet favorite për të fituar Kampionatin Europian, të ndjekura nga Gjermania, që këtë pozicion e mban më tepër se është vend organizator. Në listë janë edhe Spanja e Portugalia, ndërsa Italia, kampione në fuqi, pozicionohet e gjashta. Në Top 10 janë edhe Holanda e Kroacia, të cilat ndodhen në vazon e tretë të shortit dhe përbëjnë rrezik potencial për Shqipërinë.
Rruga Press