Kurti tregon armët kineze që po i përdor ushtria serbe në shfaqjen e agresionit ndaj Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dy ditë pasi ka thënë se në Rashkë të Serbisë po ndodhë riorganizimi paramilitar e terrorist i Milan Radoiçiq dhe grupit të tij, ka treguar për armët kineze, të cilat po i përdor ushtria serbe për shfaqjen e agresionit të hapur ndaj Kosovës.
Kurti, përmes një postimi në platformën “X” ka treguar se Serbia është operatori i vetëm i armëve kineze në Evropë e cila është duke shfaqur hapur agresion të dhunshëm ndaj Kosovës
“Sistemi raketor FK-3 (versioni eksportues i HQ-22) është një nga armët kineze të përdorura nga Ushtria Serbe, duke përfshirë edhe dronët CH-92. Kjo e bën Serbinë operatorin e parë dhe të vetëm të armëve kineze në Evropë duke shfaqur hapur agresion të dhunshëm ndaj Kosovës”, ka shkruar Kurti.
The missile system FK-3 (export version of HQ-22) is one of the Chinese weapons used by the Serbian Army, including CH-92 drones. This makes Serbia the first and only operator of Chinese weapons in Europe while openly showing violent aggression towards Kosova.
— Albin Kurti (@albinkurti) November 21, 2023
Kryeministri Kurti edhe në takimin e së hënës me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Prishtinë ka folur për situatën e sigurisë, veçanërisht në raport me rrezikun e përhershëm që Serbia paraqet për të.
Ai ai veçoi praninë e 48 bazave të përparme operacione serbe përreth kufirit me Kosovën dhe sistemin kundër-ajror në afërsi të këtij kufiri.
Edhe me këtë rast, Kurti i listoi sistemet ushtarake të Serbisë që përfshijnë sistemin e modernizuar të raketave “FK-3” dhe “Pancir S1” si dhe sistemet tjera të raketave “Neva M1T” dhe “Kub M2 (SM)” të Brigadës 250 të ushtrisë serbe.
Ai tha se sistemi FK-3 është sistem raketor kinez, me të cilin në vitin 2022, Serbia u bë vendi i parë në Evropë që operon me armë kineze, e që përfshinë edhe dronët luftarak CH-92. Ai shtoi se Forcat e Armatosura të Serbisë po ashtu kanë krijuar një njësi të veçantë për mbikëqyrjen e dronëve e cila si njësi operon në kuadër të Brigadës së 63-të të Parashutistëve të ushtrisë serbe.
Kurti të dielën ka thënë se po ngjan riorganizimi paramilitar e terrorist i Milan Radoiçiq dhe grupit të tij, me instruksione dhe mbështetje të shtetit të Serbisë.
Ai ka shprehur shqetësimin se të premten e 10 nëntorit, ai ka udhëhequr një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova.
Sipas tij, në mbledhjen e mbajtur në shtëpinë e kulturës në Rashkë, ai kishte pranë Svetllana Milladinov, zëvendësen e Petar Petkoviqit, koordinatorit të të ashtuquajturës zyrë të Serbisë për Kosovë.
Gjatë këtij takimi përveç deputetëve të Listës Serbe, tregon Kurti, aty kanë marrë pjesë edhe kryetari i ri i saj Zlatan Elek dhe nënkryetarët, Dragisha Milloviq dhe Dalibor Jevtiq.
Kurti shton se është kërkuar mobilizim për votim të partisë-shtet në Serbi, SNS, në zgjedhjet e 17 dhjetorit.
Deklaratat e Kurtit se Rusia dëshiron të nxisë një krizë të re, vijnë disa ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se Moska synon të nxisë konflikt midis shteteve të Ballkanit Perëndimor.
“Kushtojini vëmendje Ballkanit. Më besoni, ne po marrim informacione. Rusia ka një plan të gjatë. [Së pari kemi pasur] Lindjen e Mesme – shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani”, tha Zelensky më 15 nëntor.
Rruga Press