Lajme

Kurti: Shkollat profesionale duhet të shihen si vlerë e shoqërisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shteti ka nevojë për njerëz profesionistë dhe se shkollat profesionale duhet të shihen si vlerë e shoqërisë.

Në kuadër të fushatës “Mësimi dual: Mundësi për punësim dhe vetëpunësim të të rinjve”, Kurti të martën ka thënë se Kosova ka potencial rinor dhe se shteti ka për detyrë t’i pajisë me njohuri e shkathtësi që të jenë të suksesshëm në treg.

“Pikërisht për shkak të ndryshimeve ekonomike, aftësimi dhe arsimi profesional janë kyç për këtë. Investimi në arsimin dhe aftësimin profesional, është komponentë strategjike për zhvillimin e vendit. Shteti dëshiron t’u ndihmojë ndërmarrësve, që koston e aftësimit të punëtorëve ta marrë shteti. Ne kemi nevojë për profesionistë, jo akademikë, njerëz që kryejnë punë për vete, familjen dhe shtetin. U bëj thirrje edhe prindërve që t’i shtyjnë fëmijët në arsimin dual. Është i dobishëm ekonomikisht për individin dhe shtetin, por edhe ne si shoqëri duhet të afirmojmë si vlerë shoqërore arsimin dual. Personi që është në arsimin dual duhet të jetë krenar”, ka thënë Kurti.

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama

Ndërsa ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se për të qenë të suksesshëm duhet angazhim i të gjithë partnerëve, përfshirë Qeverinë, shkollat dhe bizneset.

“Edhe vetë sektori bëhet i rëndësishëm, nëse këto angazhohen. Siç e tha edhe kryeministri, çdo kush që është pjesë e arsimit dhe aftësimit profesional duhet të jetë krenar. Që nga viti 2016, kemi investuar në këtë nivel të arsimit për më shumë se 30 milionë euro ka investuar për të rinjtë e Kosovës”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  Murati publikon grafikun për kontratat 'njëburimore' ndër vite: Numri i kontratave njëburimore në mandatin tonë është përgjysmuar

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se kampanja synon t’i përgatisë të rinjtë për tregun e punës.

“Kjo nismë është detyrë morale e jona. E filluam me katër profile për arsimin dual, ndërsa tani i kemi 21. Unë i ftoj të gjithë akterët që t’i hapin dyert për këta nxënës që t’ua japim mundësinë të jenë pjesë e bizneseve tuaja”, ka thënë Nagavci.

Rruga Press

YouTube player