Lajme

Kurti: Serbia ka 48 baza operacionale përreth kufirit me Kosovën

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me përfaqësuesin e posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz.

Përmes njoftimit nga Kryeministria bëhet e ditur se në takim u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Francës, bashkëpunimin ekonomik, qeverisjen dhe zhvillimet e fundit në vend, situatën e sigurisë pas sulmit në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator, dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dritë e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.

Lexo më shumë  Rrjoll, dy banorë përfundojnë në spital pas konfrontimit me policinë

Bëhet e ditur se në lidhje me procesin e dialogut, Kurti veçoi faktin se Kosova ka qenë e vazhdon të jetë palë konstruktive dhe e angazhuar për hapa të rëndësishëm tutje në këtë proces, dhe e njoftoi atë me qëndrimet e Qeverisë së Kosovës në takimin e 26 tetorit në Bruksel me liderët evropianë. Ai ritheksoi rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve, “sepse me nënshkrim normalizimi i marrëdhënieve fiton qëndrueshmëri dhe zbatimi fiton garanci”.

Kurse, për sa i përket situatës së sigurisë, Kurti rikujtoi kërcënimin e vazhdueshëm që Serbia paraqet për Kosovën.

“Ajo ka 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën, dhe së fundmi ka dislokuar sisteme kundër-ajrore në afërsi të kufirit”, ka thënë Kurti, teksa ka shtuar se mungesa e sanksionimit të Serbisë, rrit nivelin e kërcënimit në Ballkanin Perëndimor.

Rruga Press

YouTube player