Lajme

Kryeministri Kurti: Vuçiq donte që Kosova dhe Serbia të nënshkruanin ndaras me BE-në

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se donte të nënshkruante marrëveshjen kornizë me Serbinë dhe propozimin për Asociacionin. Por sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq donte që Serbia dhe Kosova të nënshkruanin ndaras me Bashkimin Evropian.

Në një intervistë dhënë gazetës austriake “Der Standard”, Kurti ka thënë se ka dashur të nënshkruajë edhe marrëveshjen kornizë me Serbinë edhe këtë propozim.

“Kam dashur të nënshkruaj edhe marrëveshjen kornizë me Serbinë edhe këtë propozim. Por Vuçiq donte që Serbia dhe Kosova të nënshkruanin ndaras me BE-në. Por nuk kam për të normalizuar marrëdhëniet me BE-në, por ato me Serbinë! Vuçiq ka kërkuar edhe një dokument ku thuhet se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, se Kosova nuk do të ketë vend në Kombet e Bashkuara dhe se Serbia nuk do ta pranojë integritetin territorial të Kosovës”, tha Kurti.

Teksa pyetet se pika e fundit është e kundërta e asaj që thuhet në marrëveshjen kornizë dhe si reaguan negociatorët e BE-së, Kurti thotë se “arbitri duhet t’i bie bilbilit nëse ka pasur shkelje të marrëveshjes”.

“Negociatorët më pyetën se çfarë mendoja për këtë. Thashë që arbitri duhet t’i bie bilbilit nëse ka pasur shkelje të marrëveshjes. Sa herë që Beogradi shkel marrëveshjen, bilbili duhet të fryhet. A mund ta imagjinoni një arbitër që ka humbur bilbilin dhe tani thjesht ndjek lojtarët? Kjo ndoshta ka të bëjë me politikën e qetësimit. Por për shkak se Perëndimi është kaq i butë ndaj Serbisë, në mënyrë paradoksale po e shtyn atë drejt Rusisë, edhe pse synohet e kundërta. Sepse Beogradi ka më shumë dashuri dhe frikë ndaj Moskës sesa Brukselit”, shtoi ai.

Lexo më shumë  Muja shpalos fakte: Në kohën kur Hykmete Bajrami ka qenë Ministre e Tregtisë nga rezervat shtetërore  janë avulluar mbi 2500 tonë grurë në vlerë 529 mijë euro

Ai është pyetur edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës që komunat me shumicë serbe të kenë sërish kryetarë serbë.

“Sipas ligjit për vetëqeverisje lokale, 20 për qind e atyre me të drejtë vote duhet të dorëzojnë peticion. Unë nuk mund ta bëj këtë në emër të tyre. Kjo është mënyra e vetme për të siguruar që bojkotet të mos përsëriten. Në mars, partia Lista Srpska bojkotoi zgjedhjet. Nuk dua kryebashkiakë shqiptarë në veri – siç është aktualisht. Ata kanë pak legjitimitet politik për shkak të pjesëmarrjes së ulët të votuesve, pavarësisht se janë plotësisht të ligjshëm. Megjithatë, Beogradi nuk është i interesuar për pjesëmarrjen demokratike të serbëve në Kosovë, sepse dëshiron kompensim territorial për humbjen e Jugosllavisë”.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

E lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, Kurti theksoi se Serbia donte qartë një konflikt të madh për një periudhë më të gjatë kohore.

“Serbia ka qëndrim të ngjashëm ndaj Kosovës si Rusia ndaj Ukrainës. Megjithatë, trupat e KFOR-it të udhëhequra nga NATO janë të stacionuara këtu – dhe kjo ishte padyshim një faktor vendimtar që Serbia të mos pushtonte më 24 shtator. Sepse kjo ishte ideja. Serbia mblodhi trupa në kufi. Ajo donte qartë një konflikt të madh për një periudhë më të gjatë kohore, duke pasur parasysh se kishte sjellë mbi pesë milionë armë dhe municione të prodhimit serb në Kosovë”, u shpreh Kurti.

Kreu i ekzekutivit është shprehur optimist që Kosova do të anëtarësohet në Këshillin e Evropës vitin e ardhshëm.

“Jam optimist. Por është shumë e rëndësishme që kjo të ndodhë përpara zgjedhjeve të BE-së dhe SHBA-së, sepse disa shenja nuk janë të mira. Nuk e dimë se si do të duket bota pas dy vitesh. Në vend të çlirimit të plotë të Ukrainës dhe përfundimit të luftës atje, ne kemi një tjetër konflikt në Lindjen e Mesme. Si rezultat, ka më pak vëmendje për Ballkanin”.

Rruga Press

YouTube player