Lajme

Prokuroria në Bosnje e Hercegovinë ka pranuar një parashtresë nga institucionet e Kosovës për të hetuar origjinën e armëve të konfiskuara në Banjskë

Prokuroria në Bosnje e Hercegovinë tha se ka pranuar një parashtresë nga institucionet e Kosovës për të hetuar origjinën e armëve të konfiskuara në Banjskë.

Në këtë fshat të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë një polic.

Në përleshjen e armatosur që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Në ditët pas sulmit, policia e Kosovës konfiskoi një sasi të madhe armësh në Banjskë, për të cilat tha se janë prodhim i fabrikave serbe dhe ish-jugosllave.

Në përgjigjen e Prokurorisë së Bosnjës dërguar REL-it thuhet se “informacionet e disponueshme paraprake tregojnë se nuk bëhet fjalë për armë të mbetura nga lufta në Bosnje e Hercegovinë”.

Lexo më shumë  Kurti në Gjakovë: Do ta kemi edhe segmentin që e lidh Gjakovën me Shkodrën, në kuadër të hekurudhës Prishtinë-Durrës

“Ndoshta bëhet fjalë për armë të prodhimit më të vonshëm, që nuk janë me prejardhje nga Bosnja. Por, përmes Institutit të bashkëpunimit ndërkombëtar, do të kryhen të gjitha aktivitetet e nevojshme për t’i përcaktuar me siguri të gjitha detajet”, tha Prokuroria e Bosnjës.

Në Prokurorinë Speciale të Kosovës konfirmuan se kanë kërkuar bashkëpunim nga disa shtete të rajonit në lidhje me hetimet e sulmit në Banjskë.

Qeveria e Kosovës e akuzon Serbinë për këtë sulm, por Serbia zyrtare e mohon përfshirjen.

Nga ky vend thonë se janë duke bërë hetime të ndara të sulmit.

Në një deklaratë Prokuroria e Bosnjës tha, po ashtu, se nuk ka iniciuar ndonjë hetim mbi pretendimet e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd se Millan Radoiçiq, ish-kryetar i Listës Serbe në Kosovë, ka siguruar armë, municion dhe eksplozivë nga Tuzlla për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

Lexo më shumë  Costa sot në Kosovë, takime me krerët institucionalë

“Në Prokurorinë e Bosnje dhe Hercegovinës nuk kemi marrë asnjë raport nga organet policore për veprën e mundshme kriminale dhe autorët; nuk kemi marrë asnjë informacion nga institucionet e vendeve fqinje, kështu që nuk ka pasur urdhër për kryerjen e ndonjë hetimi”, tha më 6 nëntor Boris Grubeshiq, zëdhënës i Prokurorisë së Bosnje e Hercegovinës.

Rruga Press

YouTube player