ATK: Nga hetimet tatimore rritet tatimi shtesë në 8.1 milionë euro
Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës në Administratën Tatimore të Kosovës ka një rol kyç në sigurimin e barazisë mes bizneseve, si dhe mbrojtjen e sistemit tatimor nga çdo individ a biznes, të cilët qëllimshëm i shmangen detyrimeve tatimore.
Në një njoftim për media nga ATK thuhet se brenda 10 muajve të këtij viti, DHTI ka arritur që nga hetimet e bëra të rrisë tatimin shtesë për 8.1 milionë euro, nga 4.6 milionë euro, sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit 2022.
Tutje, bëhet e ditur se vlera e shmangies tatimore me ndëshkime është konstatuar 4.3 milionë euro, krahas vitit 2022, që ishte 3.7 milionë euro, gjë që thekson vigjilencën e shtuar të Hetuesisë Tatimore.
“Këto hetime zhvillohen për të identifikuar shkeljet e mundshme të rregullave tatimore dhe shmangien e obligimeve financiare nga individë apo biznese. Përmes analizave të thelluara dhe monitorimit të transaksioneve, autoritetet tatimore mund të zbulojnë mos raportime të të ardhurave, transferime të paligjshme dhe keqpërdorime të tjera financiare”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se funksioni kryesor i hetimeve tatimore është të sigurojë që të gjitha subjektet tatimore kontribuojnë në mënyrë të barabartë dhe në bazë ligjore në mbajtjen e barrës tatimore.
“Kjo jo vetëm që siguron burime të mjaftueshme për financimin e shërbimeve publike, por gjithashtu ndihmon në parandalimin e pasigurisë fiskale dhe në ruajtjen e integritetit të sistemit tatimor”.
Rruga Press