Mbi 100 punonjës humanitarë të OKB-së u vranë në Gaza, shifra më e lartë ndonjëherë
Më shumë punonjës humanitarë të Kombeve të Bashkuara janë vrarë në Gaza se në çdo konflikt tjetër në historinë 78-vjeçare të organizatës, ka njoftuar OKB-ja të hënën.
Është një rikujtim se stafi humanitar nga agjencitë botërore nuk është kursyer nga bombardimet e pamëshirshme të Izraelit në territorin e rrethuar të Gazës.
Gjithsej 102 punonjës humanitarë me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) u vranë dhe 27 të tjerë u plagosën në Gaza që nga fillimi i luftës së Izraelit me Hamasin më shumë se një muaj më parë, tha agjencia.
“Në 24 orët e fundit, një anëtare e stafit të UNRWA-s u vra me familjen e saj në veri të Rripit të Gazës për shkak të sulmeve”, ka bërë të ditur agjencia në një deklaratë. “Ky është numri më i madh i punonjësve humanitarë të Kombeve të Bashkuara të vrarë në një konflikt në historinë e Kombeve të Bashkuara”.
Lufta e fundit shpërtheu pas sulmeve terroriste të 7 tetorit nga Hamas. Në ato sulme militantët e Hamasit vranë të paktën 1.200 persona në Izrael dhe morën më shumë se 200 pengje.
Izraeli pretendon se po lufton për ta eliminuar Hamasin – për të cilin thotë se po fshihet në infrastrukturën civile të Gazës.
Zyrat e OKB-së në mbarë botën ulën flamujt e tyre në gjysmështizë dhe stafi i OKB-së mbajti një moment heshtje të hënën për të nderuar kolegët e tyre të vrarë në Gaza.
“Ata s’do të harrohen kurrë”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
UNRWA bëri të ditur se të vrarët ishin mes 13 mijë punonjësve të saj që punonin në Gaza dhe shumë prej tyre kishin vdekur së bashku me familjet e tyre gjatë bombardimeve dhe bllokadës nga Izraeli pas sulmit të 7 tetorit nga militantët e Hamasit.
“Ata ishin mësues, drejtorë shkollash, punonjës shëndetësorë, duke përfshirë një gjinekolog, inxhinierë, staf mbështetës dhe një psikolog”, thuhet në deklaratë.
Punonjësit humanitarë të OKB-së janë në mesin e të paktën 11.180 njerëzve të vrarë në sulmet ajrore izraelite, duke përfshirë 4.609 fëmijë, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Ramallah, e cila merr shifrat e saj nga territori i kontrolluar nga Hamasi.
UNRWA është agjencia kryesore e OKB-së që vepron në Gaza dhe po strehon rreth 780 mijë njerëz në më shumë se 150 objekte të mbipopulluara, përkundër faktit se shërbimet bazë janë shkatërruar.
Agjencia u krijua një vit pas luftës arabo-izraelite të vitit 1948 dhe ofron shërbime të tilla si arsim, kujdes shëndetësor, ndihma dhe shërbime sociale.
U themelua tre vjet pas krijimit të Kombeve të Bashkuara në vitin 1945, pas Holokaustit dhe tmerreve të tjera të Luftës së Dytë Botërore, me synimin për të parandaluar përsëritjen e mizorive të tilla dhe luftërave të ardhshme botërore.
Volker Turk, komisioneri i lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, ka thënë të mërkurën se Hamasi dhe Izraeli kanë kryer krime lufte muajin e kaluar.
Shtëpi e më shumë se 2 milionë njerëzve të grumbulluar në 362 kilometra katrorë, Gaza kishte qenë prej kohësh një nga vendet më të varfra në botë, e shkëputur nga bota e jashtme për 17 vjetët e fundit, si pasojë e bllokadave izraelite dhe egjiptiane.
Rrethimi dhe bombardimi aktual nga Izraeli ka krijuar një krizë të thelluar humanitare brenda Gazës, duke përfshirë kolapsin pothuajse total të sistemit të kujdesit shëndetësor dhe shkatërrimin e gjerë të lagjeve të tëra.
Agjencia ka njoftuar se stafi i saj po punon “gjatë gjithë kohës” me furnizime të pakta për të mbështetur të zhvendosurit në shkollat dhe ndërtesat e saj, duke lehtësuar dërgesat e vogla të ndihmave që arrijnë në Gaza dhe duke ndihmuar banorët e rrezikuar të Gazës, përfshirë gratë shtatzëna dhe foshnjat.
Izraeli duke bllokuar futjen në Gaza të karburanteve, ushqimeve, ujit dhe ilaçeve, ka bërë që operacionet e UNRWA-s të kenë “resurse të limituara”, ka theksuar Thomas White, drejtor i Çështjeve të UNRWA-së në Rripin e Gazës dhe agjencia do të detyrohet të bëjë plotësisht ndalimin e disa shërbimeve, përfshirë edhe ato të heqjes së mbeturinave.
White ka theksuar se UNRWA nuk ka karburant për t’i mbushur kamionët e saj në Gaza.
Në fillim të këtij muaji, komisioneri i përgjithshëm i UNRWA-s, Philippe Lazzarini, ka treguar se stafi i saj në Gaza “po ndan të njëjtat kushte jetese si kushdo tjetër”.
“Ata po luftojnë çdo ditë për të gjetur bukë, ujë, për t’i mbrojtur fëmijët e tyre. Dhe pavarësisht kësaj, dhe përkundër humbjes së rëndë brenda kësaj organizate, ata mbeten të përkushtuar për të bërë gjithçka që është e mundur për t’i ofruar mbështetje popullit në Gaza. Por është një luftë e përditshme e vazhdueshme”, tha Lazzarini
Pavarësisht mbrojtjeve sipas ligjit ndërkombëtar, organizatat e ndihmës, OJQ-të, gazetarët dhe mjekët kanë rënë gjithashtu viktima të luftës. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve tha se që nga e hëna të paktën 42 punonjës të medias janë vrarë që nga fillimi i luftës.
Më shumë se 60 objekte të UNRWA – kryesisht shkolla që strehojnë mijëra civilë – kishin pësuar dëme nga sulmet izraelite, ka thënë agjencia, dhe që nga 7 tetori, 66 njerëz të strehuar në objektet e saj janë vrarë. Të dielën, një nga objektet e saj në Rafah në Gazën jugore u godit nga një sulm detar izraelit dhe pësoi dëme të konsiderueshme.
“Ky sulm i fundit është një tjetër tregues se askund në Gaza nuk është sigurt. Jo veriu, jo zonat e mesme dhe jo jugu. Mospërfillja për mbrojtjen e infrastrukturës civile, duke përfshirë objektet e OKB-së, spitalet, shkollat, strehimoret dhe objektet fetare është dëshmi e nivelit të tmerrit që civilët në Gaza po jetojnë çdo ditë”, tha Lazzarini.
Ushtria izraelite ka njoftuar të hënën se “ka kryer një sulm bazuar në kërkesat operacionale, ngjitur me një ndërtesë të OKB-së”.
UNRWA-ja ka thënë se nga objektet totale të dëmtuara, 70% ishin në jug të Wadi Gazës, në zonat e mesme dhe jugore duke përfshirë Rafah dhe Khan Younisin. Kjo është zona e Gazës në të cilën ushtria izraelite ka udhëzuar civilët në veri të Gazës dhe qytetin e Gazës që të largohen. /koha/
Rruga Press