Sport

Portieri i Ajaxit: S’e harroj kurrë Kosovën, lufta dhe prindërit më bënë kaq të fortë

Diant Ramaj u transferua gjatë muajit gusht nga Eintracht Frankfurt tek Ajaksi për shumën 5 milionë euro.

Portieri dardan është përshtatur shpejt tek ekipi historik holandez, teksa në një rrëfim për “De Telegraaf”, zbulon edhe më shumë veten.

“Prindërit e mi kanë lindur në Kosovë, por ata emigruan në Gjermanisë për shkak të luftës me Serbinë. Lanë gjithçka pas dhe përfunduan pa asgjë në një shtet të ri. Historia dhe karakteri i tyre më kanë formuar dhe më kanë bërë ky që jam sot.

Unë nuk e harroj kurrë nga vij. Gjatë fëmijërisë dhe rinisë sime na mungonin shumë gjëra, por unë dhe vëllai Dijon, tri vite më i madh se unë, gëzoheshim duke luajtur futboll rrugëve me kushërinjtë tanë.

Prindërit kanë luajtur një rol të madh në faktin që unë i ‘parkoj’ lehtësisht në kokën time vështirësitë e një ndeshjeje. Për të bërë analizën e saktë pas përfundimit të saj.

Mendoj që ka të bëjë edhe me prejardhjen time, sepse ne ballkanasit jemi shumë të fortë në aspektin mental. Jam vetëm 22 vjeç, por shpesh dëgjoj të thonë që luaj sikur të jem 30”.

Nuk mungon një koment për Kevin Trapp, me të cilin Ramaj punoi tek Eintrachti i Frankfurtit.

“Kevin është ndër portierët më të mirë në Gjermani. Kam mësuar shumë prej tij. Aventura tek Ajaksi po shkon mirë për mua, por një portier nuk duhet të ndalet kurrë. Duhet të punojë pa pushim.

Përtacia shkakton gabime dhe pothuajse çdo gabim i portierit i kushton skuadrës një gol. Duhet të jem i përqendruar në çdo minutë të ndeshjes”, theksoi 22-vjeçari shqiptar.

Rruga Press

YouTube player