Lajme

Eksperti mjeko-ligjor: “Mizoria e Srebrenicës na shokoi”

Robert McNeil ishte një nga ekspertët e parë ndërkombëtarë të caktuar për të mbledhur prova duke ekzaminuar trupat e viktimave të masakrave të Srebrenicës dhe kujtimet e asaj që ai pa e kanë përndjekur që nga ajo kohë.

Tekniku mjeko-ligjor skocez Robert McNeil arriti në Bosnjë dhe Hercegovinë në 1996, menjëherë pas zbulimit të varreve të para masive të viktimave të masakrave të Srebrenicës.

Lufta nuk kishte shumë kohë që kishte përfunduar dhe McNeil kujtoi se si ai mund të ndjente erën e konfliktit dhe shkallën e vuajtjeve përreth tij.

Ai kishte ardhur për të punuar me një ekip hetimor të krijuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, për të mbledhur prova në lidhje me vdekjet e më shumë se 7,000 burrave dhe djemve nga Srebrenica të cilët ishin vrarë nga forcat serbe të Bosnjës në një seri masakrash në korrik të një viti më parë.

“Edhe pse lufta kishte mbaruar, kishte shpërthime sporadike dhune në zonën afër Kalesijas, një qytet afër Tuzlës, ku ndodhej një morg i përkohshëm. Në disa situata, ne u desh të evakuoheshim, sepse morëm kërcënime nga njerëz që donin të ndërhynin në punën tonë”, tha ai në një intervistë për BIRN.

Morgu i përkohshëm ndodhej në një ish-fabrikë veshjesh, të cilën ai e mban mend si një “vend të zymtë”. Nuk kishte ujë të rrjedhshëm, mungesa e energjisë elektrike dhe kanalizimeve ishte një problem, por problemi më i madh që hasën hetuesit mjeko-ligjorë ishte numri i trupave që mbërrinin çdo ditë.

“Shumë shpejt vendi u mbush plot me trupa të pajetë. Ishte e rëndësishme që të kryenim autopsi të hollësishme dhe të përpikta për t’u siguruar që provat që mblidhnim për prokurorët të ishin të pakundërshtueshme”, shpjegoi ai.

“Isha mësuar të gjeja dhe regjistroja lëndime të rënda, por mizoria e kryer ndaj viktimave na tronditi të gjithë. Burrat ishin rrahur, goditur me thikë dhe me shkopinj para se të ekzekutoheshin. Shumë vetave iu kishin lidhur sytë dhe i kishin duart të lidhura fort, pas shpine, shpesh me tel të hollë”, vazhdoi ai.

“Po kryenim një procedurë shkencore të përsëritur. Megjithatë, kishte raste kur objektiviteti im sfidohej.”

Vetëm më vonë, McNeil e kuptoi se shumë varre masive ishin gërmuar përsëri në një operacion në shkallë të gjerë nga ana e forcave serbe të Bosnjës, në përpjekje për të mbuluar krimin, dhe trupat ishin transferuar në varre dytësore.

Lexo më shumë  Kurti: Trashëgimtarët e Millosheviqit në Beograd refuzojnë t’i hapin arkivat për t’i zbuluar lokacionet e varrezave masive

Në këtë proces, disa trupa viktimash ishin copëtuar nga makineritë e rënda të përdorura për t’i zhvarrosur ata dhe pjesë të trupave ishin shpërndarë nëpër varre të ndryshme dytësore. Kjo do të thoshte që ekipi mjeko-ligjor u desh të merrej me më shumë se 17,000 pjesë trupash.

“Shumë nga ato pjesë trupash nga të njëjtat viktima ishin varrosur në disa varre. Kjo duhet të ketë qenë shkatërruese për familjet e viktimave dhe do të na duheshin shumë vite për t’i gjetur dhe për t’i bashkuar përsëri këta trupa”, tha McNeil.

Provat mjeko-ligjore që ata mblodhën ishin jetësore për prokurorinë e GJPNJ-së për të provuar se boshnjakët nga Srebrenica u vranë sistematikisht, dhe ekipi mjeko-ligjor vuri në dukje se shumë nga viktimat kishin lëndime të ngjashme.

“Përmes rindërtimit të kujdesshëm të trupave dhe pjesëve të trupit, ne qemë në gjendje të paraqisnim mënyrën dhe shkaqet më të mundshme të vdekjes”, tha McNeil.

“Veshjet, të hequra nga trupat e viktimës, të ekzaminuara dhe pastruara, na ndihmuan të krijonim një imazh të momenteve të fundit të viktimës. Radiografia kriminalistike ishte gjithashtu një mjet jetësor që siguronte fotografi të qarta të rrugës dhe vendndodhjes së plumbave, si dhe të dëmtime të tjera të pësuara para vdekjes, siç është thyerja e kockave”, shtoi ai.

Analiza e ADN-së e kryer nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur çoi në identifikimin përfundimtar të shumë prej viktimave.

“Kur pashë emrat e tyre, qava”


Robert McNeil. Foto: www.robertmcneil.co.uk

McNeil punoi me ekipe mjeko-ligjore britanike dhe ndërkombëtare në vend dhe jashtë vendit nga viti 1996 deri në 2009, duke siguruar prova fizike dhe shkencore të sulmeve terroriste në Britani dhe Irlandë, dhe krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në zonat e luftës në Ballkan dhe në Afrikë.

Ai gjithashtu ndihmoi në identifikimin e ushtarëve britanikë dhe australianë të vrarë në Francë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe viktimave të cunamit të Azisë Juglindore në Tajlandë në 2004.

Ai tha se ai ia ka përcjellë njohuritë e fituara në Bosnjë ekspertëve nga vende të ngjashme gjatë misioneve të tij mjeko-ligjore në vende të ndryshme.

Lexo më shumë  Thika para ligjit/ Si e shuajti Rilindja e Ramës skandalin e burrit të ministres Delina Ibrahimajt!

“Zhvillimi i analizës dhe procedurave të ADN-së nga Bosnja dhe Hercegovina ka përmirësuar standardet në të gjithë botën. Disa nga protokollet në autopsinë mjekoligjore të zhvilluar në Bosnjë, të cilat kanë të bëjnë me vrasje masive, përdoren sot në Mbretërinë e Bashkuara dhe u përdorën pas sulmeve terroriste në korrik 2005 në Londër”, shpjegoi ai.

“Punime të shumta shkencore, të bazuara në njohuritë e marra në Bosnjë, janë shkruar në të gjithë botën”, shtoi ai.

McNeil pësoi një formë të butë çrregullimi të stresit post-traumatik si rezultat i përvojave të tij dhe pasi doli në pension, ai filloi të pikturonte imazhe të frymëzuara nga ato që ai pa gjatë karrierës së tij si një mënyrë për ta adresuar këtë problem. Ai ua dhuron pikturat institucioneve arsimore, me shpresën për të inkurajuar njerëzit të bëjnë pyetje rreth asaj që ndodhi në luftën e Bosnjës.

Ai u kthye në Bosnjë në 2014 dhe kur vizitoi Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës, ku janë varrosur viktimat e masakrave, e mbytën emocionet.

“Kur pashë emrat e mbi 6,000 viktimave të gdhendura në gur, qava për familjet e tyre”, tha ai.

“Gjatë gjithë kohës që punoja në Bosnjë, viktimat i njihja vetëm nga numrat e varreve të tyre. Ishte e rëndë të shihja që më në fund ata kishin emrat e tyre. U preka shumë, por u ndjeva edhe krenar që luajta një rol të vogël në atë që ishte hetimi më i madh mjeko-ligjor në histori.”

Sot, McNeil punon me “Remembering Srebrenica UK”, një organizatë e mbështetur nga qeveria britanike që organizon ngjarje përkujtimore dhe drejton programe edukative në lidhje me krimet e luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Unë përpiqem të ndihmoj të edukoj njerëzit në vendin tim dhe jashtë tij në lidhje me luftën e agresionit që u përpoq të shkatërronte një popull, për shkak të emrave që ata kishin dhe fesë të cilës i përkisnin”, shpjegoi ai.

“Unë shkoj nëpër shkolla, muze, kolegje dhe burgje dhe përpiqem t’u shpjegoj njerëzve se ajo që ndodhi në Bosnjë, nëse nuk tregohemi të kujdesshëm, mund të ndodhë kudo.”/balkaninsight/

rruga press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *