KryesoreLajme

Scholz: KFOR-i duhet të jetë në pozicion që të reagojë në mënyrë të duhur

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha se tensionet e fundit në Kosovë kanë dëshmuar se sa e rëndësishme është prania e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Gjatë një konference për media në Berlin, së bashku me sekretarin e Përgjithshëm të aleancës perëndimore ushtarake, Scholz tha se shteti i tij mbështet misionin e KFOR-it.

“NATO është garantues i sigurisë në Ballkanin Perëndimor, në Kosovë përmes KFOR-it. Gjermania merr pjesë në këtë mision përmes forcave të armatosura. Tensionet në ditët e fundit kanë ilustruar se sa e rëndësishme është kjo prani dhe që KFOR-i duhet të jetë në pozicion që të reagojë në mënyrë të duhur ndaj të gjitha zhvillimeve”, tha kancelari gjerman, shkruan Rel.

Lexo më shumë  Qindra llogari bankare, vila, pasuri marramendëse të sekuestruara/ SPAK reagon zyrtarisht për dosjen "Aruba"

Që nga fundi i majit, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, tensionet janë të larta, pasi serbët lokalë kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave.

Për shkak të rritjes së tensioneve, që u përcollën me protesta të dhunshme, ku u lënduan edhe dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it, NATO njoftoi për rritjen e pranisë ushtarake në Kosovë.

KFOR, që është reaguesi i tretë i sigurisë, vazhdimisht ka deklaruar se mund të ndërhyjë nëse është e nevojshme, por ka inkurajuar Kosovën dhe Serbinë që të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Lexo më shumë  BIRN: “Korporata Aruba”, SPAK godet skemën e miliardave të drogës dhe kullave në Tiranë

Më 24 shtator, tensionet u rritën edhe më shumë pasi një grup i armatosur serbësh sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve, autoritetet thanë se u vranë edhe tre sulmues.

Aktualisht, në kuadër të KFOR-it janë 4.353 trupa, 70 prej të cilëve janë nga Gjermania.

YouTube player