BE, e shqetësuar për kontrollin e paktë të parlamentit dhe qytetarëve mbi Ramën
Raporti i progresit të Komisionit Evropian për këtë vit, i publikuar të mërkurën, tërheq vëmendjen në shumë raste te mungesa e kufizimit të pushtetit të qeverisë dhe kërkon forcimin e masave të kontrollit nga parlamenti dhe nga shoqëria shqiptare mbi qeverisjen.Nga Gjergj Erebara, BIRN
Në së paku tre raste, Raporti i Progresit të Shqipërisë në rrugën për anëtarësim në BE, vëren me shqetësim pushtetin pa limit të qeverisë dhe mungesën e kufizimit të këtij pushteti nga parlamenti, nga gjyqësori dhe nga shoqëria shqiptare në tërësi, në një ndryshim tonaliteti në krahasim me raportet e viteve të kaluara që ngre dyshime për funksionimin demokratik të Shqipërisë.
Raporti i Progresit është një dokument kyç që Komisioni Evropian harton çdo vit për vendet kandidate, me synim për të matur ecurinë e reformave në këto vende dhe shkallën e afrimit të tyre me standardet që duhet të plotësohen për anëtarësim. Raporti vlerëson Shqipërinë dhe vendet e tjera kandidate në 31 fusha një herë në vit. Zhvillimet që nga raporti i kaluar vlerësohen me “regres”, “jo progres”, “pak progres”, “shumë progres” dhe “progres i shkëlqyer” ndërsa gjendja në të cilën vendi është në një fushë të caktuar merr një nga këto nota: “hapat e parë”, “pak nivel përgatitjeje”, “relativisht i përgatitur”, “nivel i mirë përgatitjeje” dhe “nivel i lartë përgatitjeje”. Raportet e progresit të përgatitura nga Komisioni Evropian janë kritikuar në të shkuarën për përdorimin e një gjuhe të butë dhe për një dashamirësi të ekzagjeruar ndaj vendeve kandidate apo prirje për të zbukuruar punën e këtyre vendeve për reformat që nevojiten për anëtarësim, me qëllim që raportet të mos shërbejnë si ushqim për forcat politike euroskeptike apo ksenofobe në vendet e ndryshme anëtare. Pavarësisht kësaj, vërejtjet dhe shqetësimet e Komisionit, të cilat dallohen mes rreshtave, bartin mesazhet për politikanët e vendeve kandidate.
Vërejtjet mbi pushtetin pa kufi të kryeministrit Edi Rama dallohen në komentet e Komisionit në prezantimin e përgjithshëm të raportit si dhe në kapitujt për demokracinë, në të cilin qeverisë i bëhet thirrje “të vetëpërmbahet nga masat që nuk janë në përputhje me standardet e BE-së”, si dhe në kapitujt për administrimin buxhetor apo për mungesën e kufizimit efektiv gjyqësor të veprimeve të dyshuara abuzive të agjencive ligjzbatuese si Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit.
“Mbikëqyrja e ekzekutivit nga parlamenti mbeti i kufizuar,” vërehet në kapitullin që flet për gjendjen e demokracisë. Veçanërisht dy janë pikat në të cilat Brukseli ngre shqetësime: Mungesa e gadishmërisë së kryeministrit Edi Rama për t’iu përgjigjur kërkesave për interpelancë nga deputetët e opozitës dhe refuzimi nga socialistët i kërkesave të opozitës për komisione hetimore parlamentare.
“Deputetët dorëzuan tre kërkesa për interpelancë dhe një mocion për debat me kryeministrin. Kryeministri mori pjesë personalisht në një prej tyre,” vëren raporti.
Komisioni Evropian duket se hedh poshtë alibinë e socialistëve për të mos miratuar kërkesat e opozitës për komisione parlamentare si të pabazë dhe të paligjshme.
“Gjatë periudhës së raportimit, opozita kërkoi krijimin e dy komisioneve hetimore, por shumica i refuzoi të dyja, pavarësisht faktit se e drejta e opozitës për të nismuar komisione të tilla garantohet nga kushtetuta. Argumenti i shumicës në të dyja rastet ishte që ka nevojë fillimisht të rishikohet ligji mbi Komisionet Hetimore Parlamentare, i cili është në proces. Gjithsesi, ligji aktual mbetet në fuqi,” vëren Komisioni Evropian.
Komisioni ngre shqetësime të veçanta për praktikën e parapëlqyer të qeverisë së kryeministrit Edi Rama (praktikë që ka qenë përdorur edhe nga qeveria para tij e ish-kryeministrit Sali Berisha) për ndryshimin e buxhetit të shtetit disa herë në vit përmes Akteve Normative. Aktet Normative janë instrumente ligjore të veçanta të parashikuara në kushtetutë si mjete që ndihmojnë qeverinë për të vepruar në kushtet e një situate emergjente të papritur, fjala vjen, në rastet e një katastrofe natyrore, në të cilën, urgjenca nuk lejon hapësirë për ndjekjen e procedurave të zakonshme parlamentare. Në këtë rast, qeveria merr një akt normativ i cili ndryshon buxhetin dhe krijon linja të reja shpenzimesh pa miratim paraprak nga parlamenti. Por ndryshimi i buxhetit të shtetit disa herë në vit me një praktikë të tillë ngre pikëpyetje të mëdha mbi funksionimin e demokracisë dhe rolit mbikëqyrës të parlamentit mbi ekzekutivin. Sepse në sistemet demokratike, parlamenti është ai që autorizon shpenzimet buxhetore ndërsa qeveria vetëm sa i ekzekuton shpenzimet që ka autorizuar parlamenti.
“Gjatë viteve të fundit, përfshirë vitin 2022, rishikimet buxhetore janë bërë kryesisht përmes akteve normative, të cilat shpesh kanë mungesë transparence dhe konfirmohen nga parlamenti pas faktit të kryer. Situatat e paqarta ekonomike kanë justifikuar këtë deri në një farë mase, por rikthimi te procedura më e rregullt e rishikimit të buxhetit duket e përshtatshme,” vëren Komisioni Evropian.
Shqetësime për praktikat e ndryshimit të buxhetit me akt normativ nuk ka shprehur vetëm Brukseli. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në mënyrë të përsëritur ka kërkuar mospërdorimin e këtij instrumenti. Të dyja këshillat kanë rënë në vend të shurdhët. Aktualisht nuk mbahet mend rasti kur procedura e rregullt parlamentare të jetë përdorur për ndryshimin e buxhetit.
Komisioni vëren se “e drejta e qytetarëve për administrim të mirë duhet të forcohet më tutje,” një mënyrë e butë për të thënë se aktet normative i hapin rrugën keqadministrimit të fondeve buxhetore. Për shembull, më 23 tetor të këtij viti, qeveria depozitoi në kuvend ndryshime në buxhetin 2023 me akt normativ. Supozohet që paratë duhet të zhvendosen nga projektet me ecuri të dobët në zbatim te projektet me ecuri më të mirë, por gjithkush ka të drejtë të dyshojë se si qeveria ka mundësi të shpenzojë shuma të konsiderueshme parash në një periudhë fare të shkurtër kohore në fund të vitit, ndërsa ka qenë e paaftë të shpenzojë këto para në ecurinë normale të një viti kalendarik.
Shqetësimi i tretë i madh mbi moskufizimin e qeverisë ligjet me aktivitetin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, një agjenci e cila është kritikuar për veprime të paligjshme edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, si dhe për procedurat e shpronësimit për interes publik të ndjekura nga Rama. Shqetësuese, sipas Brukselit është fakti që qytetarët që kanë ankesa ndaj këtyre procedurave nuk kanë akses në sistemin e drejtësisë dhe përballen për rrjedhojë me ekzekutime vendimesh arbitrare pa mbrojtje gjyqësore.
“Ankesa të shumta vijojnë të ngrihen mbi veprimet e agjencive qeveritare përgjegjëse për shpronësimin e pronave për interes publik dhe për shembjen e ndërtimeve të paligjshme, gjë që është një arsye për shqetësim,” shkruhet në Raportin e Progresit.
“Organizatat e shoqërisë civile dhe grupe të tjera interesi kanë theksuar se qeveria e zbaton ligjin në mënyre selektive. Autoritetet duhet të sigurojnë që parimet e ligjshmërisë dhe transparencës, ndalimit të përdorimit arbitrar të pushtetit ekzekutiv dhe të drejtës për gjykim të drejtë dhe kompensim efikas respektohen në tërëso në rastet e shpronësimeve dhe shembjes së pronave,” thuhet në raport.
Qeveria e kryeministrit Edi Rama shembi vitin e kaluar një hotel, për të cilin tha se ishte i paligjshëm. Urdhri i shembjes u lëshua një ditë të premte dhe shembja u bë ditë të dielë, efektivisht duke ndaluar pronarin e objektit të kërkojë pezullim të urdhrit të shembjes në gjykatë dhe duke eliminuar mbikëqyrjen gjyqësore të veprimeve të ekzekutivit.
Raporti thekson gjithashtu në disa raste nevojën e forcimit të mbikëqyrjes së aktivitetit të qeverisë nga qytetarët dhe shoqëria civile.
“Kontrolli i punës së qeverisë nga publiku duhet të përmirësohet më tutje. Mbikëqyrja parlamentare mbi performancën e qeverisë, përfshirë agjitë nën qeverinë, duhet të forcohet. Monitorimi rregullator dhe institucional si dhe kuadri raportues për performancën e qeverisë janë ende të fragmentarizuara,” shkruhet në raport.
BE kërkon gjithashtu krijimin e një institucioni të ri të pavarur për vlerësimin e rreziqeve fiskale.
Rruga Press