Qeveria Rama i hap rrugën, dhënies me koncesion të furnizimit me ujë të pijshëm
Qeveria parashikon të zbatojë një qasje të re mbi organizimin dhe funksionimin e sektorit të ujësjellës kanalizimeve që prej dekadash vuan nga problemet financiare dhe cilësia jo e kënaqshme e shërbimeve të ofruara për konsumatorët.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka prezantuar te konsultimet publike projektligjin “Për sektorin e furnizimit me ujë të pijshëm, largimit, grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura urbane”, ku një nga alternativat është dhe dhënia e shërbimit me koncesion.
Drafti i ri përfshin rregullim të përgjithshëm dhe bashkëpunim nëpërmjet qeverisjes qendrore dhe vendore nëpërmjet 3 formave për ofrimin e shërbimit për furnizim me ujë, largimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura për 1 zonë ose disa zona bashkë në rast se operatorët e licencuar për këtë shërbim nuk arrijnë të performojnë.
Format e bashkëpunimit për ofrimin e shërbimit parashikohen të jenë nëpërmjet marrëveshjeve me koncesion, kontratat e perfomancës, si dhe operatori i alternativës së fundit.
Për zbatimin e marrëveshjeve koncesionare dhe partneriteti publik privat te shërbimet e furnizimit me ujë të pijshëm, largimit, grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura neni 25 i projektligjit parashikon se do bëhet në përputhje me ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat dhe aktet nënligjore, që përcaktojnë kërkesat dhe procedurat përkatëse.
“Studimi përkatës i fizibilitetit i kryer nga njësia e vetëqeverisjes vendore përkatëse për dhënien me koncesion, ose nëpërmjet një marrëveshjeje të partneritetit publik privat, miratohet parimisht nga ministria përgjegjëse për Infrastrukturën dhe nga ERRU-ja, brenda 3 muajve nga paraqitja e tij.
Vetëm pas marrjes së miratimit, sipas pikës 2 të këtij neni, njësia e vetëqeverisjes vendore vijon me procedurat e parashikuara në ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, përcaktohet në projektligj.
Forma tjetër e bashkëpunimit mes dy pushteteve për furnizimin me ujë të pijshëm kur ndërmarrjet e ujësjellës kanalizimeve dështojnë do të jetë edhe nëpërmjet kontratave të perfomancës.
“Ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore dhe autoriteteve të qeverisjes qendrore lidhen kontrata performance, të cilat përcaktojnë treguesit, që do të arrihen në bazë vjetore nga operatorët. Kontratat e performancës nënshkruhen nga agjencia kombëtare për furnizimin me ujë të pijshëm, largimin, grumbullimin dhe trajtimit të ujërave të ndotura urbane dhe njësia e vetëqeverisjes vendore përkatëse. Në rastet e SKP-ve të krijuara me pjesëmarrjen edhe të ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën, kontrata e performancës nënshkruhet ndërmjet asamblesë së përgjithshme të operatorit dhe administratorit te tij”, citohet në neni 24 të draftit.
Operatori i alternativës së fundit është një tjetër formë bashkëpunimi që përcaktohet në projektligj. Do të jetë operatori, që ka detyrimin e shërbimit publik, të marrë përsipër shërbimet e furnizimit me ujë të pijshëm dhe të largimit, grumbullimit e trajtimit të ujërave të ndotura urbane për një, ose më shumë zona shërbimi, në rast të mosperformancës nga operatori i licencuar.
Operatori i alternativës së fundit mund të jetë me kapital shtetëror, ose privat dhe në çdo rast i nënshtrohet licencimit nga ERRU-ja për të ushtruar veprimtarinë në përputhje me kohëzgjatjen e përcaktuar në licencën e lëshuar prej tij.
Projekt-ligji nuk parashikon krijimin e ndonjë institucioni të ri publik në nivel qendror apo vendor që zhvillojnë veprimtarinë e tyre në sektorin e furnizimit me ujë dhe grumbullimin, largimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura urbane.
Pjesa më e madhe e ujësjellësve në vend kanë një performancë negative financiare. Ato rezultojnë me humbje, teksa kanë detyrime të larta ndaj institucioneve të tjera, kryesisht për faturat e energjisë. Si rrjedhojë qeveria ka vendosur riorganizimin e tyre./ Monitor
Rruga Press