Lajme

Gërvalla për Asociacionin: Propozimi i ri, me qasje krejt tjetër nga të kaluarit

Drafti i propozuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas ministres së Jashtme të Kosovës “ka qasje krejt tjetër nga të kaluarit”.

Muajin e shkuar, përfaqësues të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe të tri shteteve më të fuqishme evropiane (Gjermanisë, Francës dhe Italisë) propozuan në Kosovë dhe në Serbi një plan të ri, ku përfshihej edhe një “version modern” i draftstatutit të Asociacionit. Dokumentet dhe marrëveshjet e shkuara u diskutuan në takimin që kryeministri Albin Kurti pati me liderët evropianë në Bruksel. Kosova u shpreh e gatshme t’i nënshkruante, ndërsa akuzoi Serbinë se e refuzoi nënshkrimin. Pas takimeve, liderët evropianë – kancelari gjerman, presidenti francez dhe kryeministrja italiane – kërkuan nga Kosova themelimin e Asociacionit e nga Serbia njohjen de-facto të Kosovës.

Në një deklaratë për “DW” nga Gjermania ku po qëndron për Konferencën e Evropës, të thirrur nga ministrja e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, Gërvalla është pyetur se a e ka pranuar Kosova zyrtarisht Asociacionin.

Lexo më shumë  Sveçla: Filloi punën grupi punues që do të hartojë Strategjinë Nacionale kundër krimit të organizuar

“Nuk e di për cilin asociacion e keni fjalën, ka një asociacion i vitit 2013, është bërë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, të cilën Gjykata e vitit 2015 e ka shpallur si shkelje të më shumë se 22 neneve. Ne kemi një propozim të ri, një dokument të ri të Bashkimit Evropian, në vija të trasha ka një qasje krejt tjetër nga në të kaluarit. Por këto janë të gjitha gjërat që ne do t’i bisedojmë gjatë një procesi intensiv me Bashkimin Evropian dhe e gjitha kjo varet se a do të jetë ky propozim, ai i cili do të sjellë normalizimin përfundimtar me Serbinë apo jo. Nëse çfarë do lloj dokumenti shërben vetëm për Kosovën dhe nuk shërben për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin tonë atëherë ne jemi shumë skeptik se sa i përshtatshëm është ai për t’u diskutuar”, ka thënë Gërvalla.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Gërvalla ka thënë se Kosova pret nga BE-ja që të deklarohet për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. “Ende jemi në pritje dhe ende përgjigja që dëgjojmë është që ende nuk kemi përfunduar hetimet. Mendoj që do të duhet të ishin përfunduar kohë më parë, sepse dëshmitë janë shumë të qarta rreth asaj çfarë ka ndodhur më 24 shtator në Kosovë, akti i 24 shtatorit është kryer me metoda terroriste, por ka qenë një akt i hapur që ka tentuar të aneksojë, pra, të pushtojë territor të Kosovës dhe presim një gjuhë shumë të qartë nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian se përndryshe besimi për të negociuar me Serbinë është dobësuar shumë”, ka deklaruar ajo.

Rruga Press

YouTube player