Përvjetori i Kuvendit të Dibrës, kërkesa për autonomi nga Perandoria Osmane
Më 1 nëntor 1878, krerët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mbajtën Kuvendin e Dibrës. Kuvendi kryesohej prej Iljaz pashë Dibrës dhe Abdyl bej Frashërit dhe kërkoi autonominë e shqiptarëve brenda Perandorisë Osmane.
Rezoluta e përpiluar prej Abdyl bej Frashërit, e cila do t’i dorëzohej sulltanit në Stamboll, përmbante 5 pika:
Vilajeti i Shqipërisë;
Nëpunësit shqiptarë;
Arsimi shqip;
Kuvendi i vilajetit;
Buxhet për arsim dhe infrastrukturë
Së pari, parashtrohej që Vilajeti i Shqipërisë të formohej nga katër vilajetet e atëhershme: Shkodra, Kosova, Manastiri e Janina. Në Shqipëri, të shërbenin si nëpunës vetë shqiptarët, duke i dhënë kështu fund diskriminimit dhe kolonizimit. Në shkollat që do të hapte vilajeti, kërkohej të mësohej shqip.
Sipas rezolutës, viset e vilajetit do të zgjidhnin një kuvend, i cili do të ngarkohej me: caktimin e buxhetit, emërimin e qeverisë dhe të gjykatave të vilajetit, si edhe me ndërmarrjen e “reformave të dobishme për shtetin dhe për kombin”.
Në shkurt 1879, një delegacion shqiptar ia paraqiti këto kërkesa Perandorisë, e cila i shpërfilli dhe u kundërpërgjigj me forcë.
Rruga Press