Putinin e sheh si President të tij, prioritet ka zhbërjen e pavarësisë së Kosovës/ Njihuni me kreun e ri të parlamentit të Malit të Zi
Andrija Mandiq është kryetar i ri i Parlamentit të Malit të Zi dhe, njëherësh, anëtar i Këshillit për Mbrojtje dhe Siguri, i cili komandon Ushtrinë e Malit të Zi.
Ai është udhëheqës i Demokracisë së Re Serbe – anëtare e Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus (DF) – i cili së voni është riemëruar si koalicioni Për Ardhmërinë e Malit të Zi. Prioritete të politikës së jashtme të partisë së Mandiqit janë heqja e sanksioneve kundër Rusisë dhe tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Ajo është, po ashtu, kundërshtare e anëtarësisë së Malit të Zi në NATO. Në politikën rajonale, Mandiq ka marrëdhënie jashtëzakonisht të ngushta me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe me presidentin e Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik.
Ai e mohon edhe gjenocidin në Srebrenicë, ku forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë gjatë luftës së viteve ’90. Është, gjithashtu, i afërt me ideologjinë e lëvizjes çetnike, e cila ka bashkëpunuar me Gjermaninë hitleriane në Luftën e Dytë Botërore.
Titullin simbolik të dukës çetnik e ka që nga viti 2007. Tash e dy dekada është deputet në Parlamentin e Malit të Zi. Ai u zgjodh me krye të këtij institucioni me … vota. Zgjedhja e Mandiqit është pjesë e një pakete më të gjerë të ndarjes së pushtetit. Sipas marrëveshjes së mandatarit për kryeministër, Millojko Spaijiq, me shumicën e re, partitë e Frontit Demokratik do ta mbështesin Qeverinë e tij të pakicës në Parlament dhe, në fund të vitit të ardhshëm, do të bëhen zyrtarisht pjesë e saj.
Uashingtoni zyrtar ka paralajmëruar dhe shprehur disa herë shqetësim se Qeveria e re përbëhet nga parti dhe liderë që janë aktivisht kundër vlerave euroatlantike. Qëndrim i ngjashëm është shprehur në disa raste edhe nga institucionet evropiane.
Mandiq e sheh Putinin si president të tij
Në vitin 2019, presidenti rus, Vladimir Putin, u takua në Beograd me Andrija Mandiqin dhe një udhëheqës tjetër të Frontit Demokratik, Millan Knezheviq, të cilët atëkohë kanë qenë në opozitë. “Mandiq dhe Knezheviq ia kanë përcjellë presidentit të Rusisë përshëndetjet e popullit serb në Mal të Zi dhe kanë theksuar se shumica e Malit të Zi e percepton atë si president të vetin”, ka thënë atëkohë Fronti Demokratik.
Sipas atij njoftimi, Putin u ka thënë atyre se janë “heronj të vërtetë” dhe se duhet “të durojnë”. Mandiq dhe Knezheviq janë akuzuar se kanë planifikuar një “grushtshtet” në ditën e zgjedhjeve në Mal të Zi, në vitin 2016, së bashku me anëtarët e shërbimit rus, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, si dhe me tetë shtetas të tjerë serbë.
Rasti është lidhur me përpjekjet për ta penguar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Me aktgjykimin e shkallës së parë, në maj të atij viti, ata janë dënuar me nga pesë vjet burgim. Gjykata e Apelit e ka hedhur poshtë vendimin dhe e ka çuar rastin në gjykim të ri. Mandiq dhe Knezheviq i kanë mohuar akuzat, duke pretenduar se bëhet fjalë për një proces të inskenuar politikisht. Një burim nga administrata amerikane ka konfirmuar në vitin 2022 se Fronti i tyre Demokratik është financuar nga Rusia gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2016.
Rruga Press