Sport

Drejtori sportiv i Inter ndjek personalisht Ramadanin, mesfushori i Kombëtares mund të vishet zikaltër

Nuk ishte e lehtë për Lecce të zëvendësonte një lojtar si Morten Hjulmand, por në fund Pantaleo Corvino ia doli shumë mirë duke marrë Ylber Ramadanin.

Ecuria e futbollistit shqiptar deri më sot ka qenë mbi të gjitha pritshmëritë, deri në atë pikë sa të bën të mendosh “Hjulmand, kush?” për tifozët e Lecce-s që me ironi harruan paraqitjet e ish-kapitenit.

Në një kohë shumë të shkurtër, Ramadani u bë udhëheqësi i heshtur i dhomave të zhveshjes, të përbërë nga të rinj të tjerë, për të cilët shqiptari u tregua një udhërrëfyes i vërtetë dhe u jepte këshilla, kryesisht për angazhimin dhe sjelljen që duheshin mbajtur.

Të gjitha cilësitë që janë bërë evidente jo vetëm te Lecce, por tashmë ka rënë edhe në sytë e drejtuesve të Inter. Piero Ausilio, drejtori sportiv i Interit, po monitoron personalisht nga afër paraqitjet e mesfushorit 27-vjeçar.

Paraqitjet e tij nuk kaluan pa u vënë re, pjekuria e tij e lejoi atë të integrohej menjëherë në Lecce e Serie A dhe kjo aftësi për t’u përshtatur është e rëndësishme për një ekip që luan shumë ndeshje, përfshirë kupat evropiane.

17 shtatori i kaluar ishte mundësia e parë e Ausilios për ta parë live.

Në stadiumin U-Poweer për Monza-Lecce, mesfushori i D’Aversa arriti performancën e tij të zakonshme të plotë në ndeshjen e cila përfundoi me barazim dhe në të cilën cilësitë e tij u theksuan në një kontekst ku skuadra ishte me një lojtar më pak.

Takimi i dytë ishte me rastin Shqipëri-Bullgari. Ramadanin nuk pati mundësi ta shihte në aksion, pasi trajneri Sylvinho e futi në lojë vetëm në minutën e 91-të kur zëvendësoi dikë që tashmë është lojtar i Interit, Kristjan Asllani.

Vështirë për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Vlera e lojtarit sigurisht është rritur krahasuar me çmimin prej 1.2 milionë eurosh, shumë e paguar nga Lecce për ta blerë atë përgjithmonë nga Aberdeen.

Sot, lojtari, falë paraqitjeve të shkëlqyera, ka dyfishuar çmimin e tij, por nëse e kërkon Inter, Lecce mund të kërkojë diçka më tepër.

Rruga Press

YouTube player