Korrupsioni në qeverisje/ Shqipëria, shumë larg Kosovës
Dy shtete të shqiptarëve në Ballkan, por dy qeveri krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. E para, ajo e Shqipërisë renditet e fundit në Europë për korrupsion, tjetra ndër vendet e para në rajon.
Nga një krahasim i shpejtë mes Shqipërisë dhe Kosovës në raportin e organizatës World Justice për Indeksin e zbatimit të ligjit për vitin 2023, del se diferencat mes dy qeverive shqiptare janë shumë të mëdha.
I qeverisur prej 10 vitesh nga Edi Rama, shteti i Shqipërisë renditet rregullisht ndër vendet e fundit në Europë për llogaridhënien e qeverisë, për korrupsionin, për respektimin e të drejtave të njeriut, për të drejtat civile, ato penale etj në 142 vende.
Por në anën tjetër të kufirit, rezulton se shteti i Kosovës ku qeveris Albin Kurti del shumë më lart në renditje, për të njëjtat kritere.
Kështu, Shqipëria rezulton të jetë në vendin e 91 këtë vit, (Tabela më lart) duke lënë pas Marokun ku mbretëron monarku Muhamet dhe Serbinë, autokracinë e sunduar nga Vuçiç.
Kosova ndërkohë qëndron në distancë, shumë më lart. Raporti e rendit Kosovën në vendin e 58, duke lënë pas Bullgarinë dhe Senegalin. Diferenca mes Shqipërisë dhe Kosovës është 33 vende në mes. (Tabela më lart)
Nëse krahasojmë vetëm një fenomen: korrupsionin si plagë që e gërryen shtetbërjen, Shqipëria del akoma më keq. (Tabela më lart) Renditemi të fundit në Europë për mungesën e korrupsionit dhe qëndrojmë në vendin e 108 diku në mes të Libanit dhe të Iranit.
Ndërsa Kosova, rezulton të jetë në vendin e 64, diku mes Sri Lankës dhe Kazakistanit. (Tabela më lart) Diferenca sa i përket korrupsionit mes dy qeverive është akoma më i madh, 44 vende.
Njësoj larg janë edhe krahasimet që bëhen për elementë të tjerë të shtetit të së drejtës, ku Kosova sërish vazhdon të ketë distancë nga Shqipëria.
Për diferencat mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit, në veçanti për korrupsonin e njërit apo tjetrit është folur vazhdimisht. Madje dështimi për të ndërtuar një shtet të së drejtës në Shqipëri mendohet se qëndron në thelb të sulmeve që Rama i bën Kurtit.
Shpesh, duke qenë në pozitat e kryeministrit të shtetit amë, Rama flet për Kurtin si “vëllain e vogël, që mund ta kapë për veshi”, por ky raport i World Justice tregon të kundërtën, që më i madhi ka ende për të mësuar mbi shtetndërtimin.
Rruga Press