Bota

Mbi 700 të vrarë për 24 orë në Gaza, OKB akuzon Izraelin për shkelje të ligjeve ndërkombëtare

Thellohet tragjedia në rripin e gazës, ku sipas autoriteteve palestineze më shumë se 700 persona u vranë në 24 orë si pasojë e bombardimeve izraelite.

Bilanci dramatik, më i larti që prej shpërthimit të luftës më 7 tetor, vjen teksa agjencia kryesore e OKB, që është edhe furnizuesja më e madhe e ndihmave në rripin e gazës, njoftoi se do të ndërpresë të gjitha shërbimet në zonë, si pasojë e mungesës së karburantit.

Spitalet gjithashtu do të ndalin çdo operacion përveç atyre të emergjencës teksa Tel Avivi refuzon të lejojë hyrjen e furnizimeve me pretendimin se do të shfrytëzohen nga Hamasi.

“Karburanti nuk do të hyjë në Rripin e Gazës. Hamasi përdor naftën për infrastrukturën ushtarake. Militantët le t’i japin spitaleve karburantin që vjedhur nga Agjencia e OKB”. Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë Izraelite

Mjekët paralajmërojnë se spitalet më të mëdha ku çdo ditë mbërrijnë qindra të plagosur mund të kthehen në varreza masive. Mungesa e karburantit, do të pamundësonte funksionimin e pajisjeve të ventilimit që mbajnë në jetë pacientët në terapitë intensive.

Lexo më shumë  Rubla ruse arrin nivelin më të ulët në 32 muaj kundrejt dollarit

Emocionet ishin të larta mbrëmjen e së martës në Këshillin e Sigurimit të OKB, pasi Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm humanitar, duke thënë se shkelje të qarta të ligjit ndërkombëtar humanitar po dëshmohen në Gaza.

“Jam thellësisht i shqetësuar për shkeljet e qarta të ligjit ndërkombëtar që po dëshmojmë në Gaza. Me lejoni të jem i qartë. Asnjë palë në një konflikt të armatosur nuk është mbi ligjin ndërkombëtar.” Antonio Guterres

Deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB nxiti reagimin e ashpër të Izraelit që kërkoi dorëheqjen e Guterres.

Lexo më shumë  Kuleba: Trump nuk mund të bëjë marrëveshje paqeje me Rusinë për Ukrainën

Ambasadori i Tel Avivit në OKB, Gilad Erdan tha se vendi i tij do t’i mohojë hyrjen në vend, funksionareve tË organizatës. “Është koha t’i japim atyre një leksion”, ishin fjalët e tij.

Në shënjestër të fushatës bombarduese të Izraelit është vene edhe bregu perëndimor, ku gjatë natës u vranë 3 palestinezë. Sakaq, Siria raportoi se 8 ushtarë të këtij vendi ishin vrarë në sulmet ajrore izraelitë kundër pozicioneve në Daraa. 

Rruga Press

YouTube player