Lajme

Lista Serbe me kryesi të re, zotime të vjetra

Lista Serbe ndryshon Kryesinë, zotohet se do të vazhdojë koordinimin me Beogradin

Lista Serbe ka zgjedhur Zllatan Ellek kryetar të ri të partisë, e me këtë rast ka ndërruar edhe Kryesinë. Në njoftimin e bërë në Facebook, partia më e madhe serbe në Kosovë njoftoi se në mbledhjen e mbajtur në Mitrovicë, nënkryetarët e zgjedhur janë Dragisha Miloviq, Ivan Zaporozhyats, Tanja Vujoviq, Dragana Antonijeviq dhe Dalibor Jetviq.

“Në të njëjtën kohë, ai (Zllatan Ellek) ka falënderuar Kryesinë e mëparshme të Listës Serbe për përkushtimin që kanë treguar në luftën për interesat e popullit serb në rrethana jashtëzakonisht të vështira”, thuhet në njoftim.

Anëtarët e Kryesisë janë Gordana Saviq, Srdjan Popoviq, Srdjan Vuloviq, Nemanja Bisevaq, Slavko Simiq, Ivan Todosijeviq, Veriqa Ceraniq, Sinisha Laziq dhe Sasha Millosheviq.

Partia serbe ka thënë se Ellek është profesor i asociuar në Fakultetin e Mjekësisë në Mitrovicë.

Pavarësisht ndryshimeve në figura, Lista Serbe sërish ka angazhuar zyrtarë që veprojnë në kuadër të sistemit paralel serb në Kosovë. Vetë Ellek ka qenë ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut, që funksionon në sistemin serb.

Lexo më shumë  Walker dokumenton në libër masakrën e Reçakut, Kurti: Dëshmi e krimeve të luftës

Sipas Listës Serbe, Ellek ka thënë se vendimet e rëndësishme, kjo parti do t’i marrë “gjithmonë në koordinim me Beogradin zyrtar”.

Ndryshimet, sipas analistëve serbë personat e rinj në Listën Serbe nuk do të thonë “praktikisht asgjë” e se kjo parti do të mbetet me ndikim për shkak të mbështetjes së Beogradit.

“Këtë mund ta shohim nga qeverisja e Partisë Progresive Serbe në Serbi, në të cilën njerëzit drejtues në parti zëvendësohen, sepse janë diskredituar nga një sërë aferash. Mendoj se po kjo po i ndodhë Listës Serbe. Është vetëm një tentativë ‘ribrendimi’ por jo një ndryshim thelbësor”, ka thënë Miodrag Marinkoviq nga organizata joqeveritare Qendra për Veprime Afirmative Sociale, për Radio Evropën e Lirë.

Edhe politikani serb nga Graçanica, Branimir Stojanoviq, ka thënë se çdo ndryshim brenda Listës Serbe do të jetë formal, gjegjësisht nuk do të sjellë “ndryshime thelbësore”.

Lexo më shumë  YIHR: Më 22 janar do të hapet Muzeu i Fëmijëve të Luftës

“Prandaj është e rëndësishme që populli ynë të kuptojë se mjaft është me këtë formalitet… besoj se njerëzit tanë do ta vlerësojnë shumë mirë se të gjitha ndryshimet që do të ndodhin, janë thjesht ‘larje’ e një mekanizmi korruptiv, që është vështirë të ndryshohet”, ka thënë Stojanoviq në një deklaratë për REL-in.

Stojanoviq dhe aktivisti politik nga veriu i Kosovës, Millija Bishevac, kanë njoftuar se po formojnë një parti të re që do të jetë “alternativë e Listës Serbe”.

Bëhet fjalë për partinë Lëvizja Popullore Serbe, e cila, sipas Stojanoviqit, do të veprojë dhe do të “përfaqësojë interesat e serbëve në të gjitha mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë”.

Lista Serbe u formua me mbështetjen e Beogradit në vitin 2013 dhe që atëherë merr pjesë në të gjitha institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës, ndërsa pothuajse ka eliminuar partitë tjera opozitare.

Një numër i madh i serbëve në Kosovë janë të punësuar në institucionet serbe, gjegjësisht ekzistenca e tyre varet nga pagat që ua siguron Beogradi.

Rruga Press

YouTube player