Bota

Erdogani dërgon në Kuvend protokollin për anëtarësimin e Suedisë në NATO

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, të hënën ka dorëzuar në Kuvend për ratifikimin protokollin për anëtarësimin e Suedisë në NATO, njofton agjencia “AP”. 

Presidenca e Turqisë ka njoftuar për hapin, ndërsa nuk ka dhënë detaje të mëtutjeshme.

Erdogani kishte vonuar ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO, duke e akuzuar shtetin skandinav se ka qasje tepër të butë ndaj militantëve kurdë dhe grupeve tjera që Turqia i konsideron si rrezik të sigurisë. Turqia po ashtu ishte zemëruar me rastet e djegies së Kuranit në Suedi.

Gjitha 31 shtetet kandidate të NATO-s duhet ta aprovojnë anëtarësimin e Suedisë në aleancë. Turqia dhe Hungaria aktualisht janë aleatët e vetëm që ende nuk e kanë ratifikuar në Kuvend anëtarësimin e Suedisë.

Lexo më shumë  Le Monde: Franca dhe Britania nuk përjashtojnë drejtimin e një koalicioni në Ukrainë. Dërgimi i ushtarëve evropianë po diskutohet

Në një deklaratë të shkurtër të Presidencës së Turqisë, është thënë se Erdogani e ka nënshkruar protokollin për anëtarësimin e Suedisë në NATO, e cila i është dorëzuar tashmë Kuvendit të Turqisë.

Nuk është bërë ende e qartë se kur do të ratifikohet në Kuvend. Por, Suedia e ka mirëpritur vendimin.

“Jam i lumtur të dëgjojë se presidenti i Turqisë, Erdogan, tash ka dorëzuar dokumentet e ratifikimit te Parlamenti i Turqisë. Tash mbetet te Parlamenti të merret me këtë çështje. Po shohim para që të bëhemi anëtarë të NATO-s”, ka shkruar kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, në platformën “X”.

Lexo më shumë  I nominuari i Trumpit për shef të Pentagonit sulmon NATO-n e OKB-në

Suedia dhe Finlanda kishin vendosur të marrin hapin për anëtarësim në NATO, pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Finlanda iu bashkua NATO-s në prill të këtij viti. Por, anëtarësimi i Suedisë hasi në kundërshtim nga Turqia e Hungaria. 

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri thirrje Turqisë që të ratifikojë së shpejti anëtarësimin e Suedisë në NATO.

“Shumë aleatë do të donin të shihnin përparim të shpejtë në ratifikim. Suedia ka ofruar atë që ka premtuar, tash duhet ratifikuar anëtarësimi i Suedisë”, tha Stoltenberg.

Rruga Press

YouTube player