Art & Kulturë

Frankfurt, fillon edicioni i 75-të i panairit më të madh të librit në botë, i pranishëm edhe shteti i Kosovës

Sot, ka filluar panairi më i madh i librit në botë, në Frankfurt të Gjermanisë, me mesazhin “Fjalët bashkojnë botën”, në të cilin marrin pjesë 7.500 ekspozues me mbi 285.000 profesionistë të fushës nga e gjithë bota, ku tradicionalisht i pranishëm është edhe shteti i Kosovës.

Edicioni i 75-të i Panairit të Librit në Frankfurt fokusohet në agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe Hamasit në Izrael, duke artikuluar problemin e dhunës dhe agresioneve aktuale.

Nën moton “Koshere e fjalëve”, e ftuar e nderit e këtij viti, Sllovenia, do të prezantojë zhvillimet dhe prirjet në jetën e saj letrare dhe kulturore dhe, veçanërisht, industrinë e saj aktuale letrare dhe krijuese. Përmes letërsisë, do ta zbulojmë këtë vend që nuk përfaqësohet vetëm me bukuritë natyrore të vlefshme për t’u vizituar.

Lexo më shumë  Bislimi në Institutin Hungarez të Çështjeve Ndërkombëtare: Kosova përtej barrierave drejt avancimit demokratik

Muaji tetor shquhet si muaji më i rëndësishëm për ngjarjet kulturore të fushës së librit me dy kryengjarjet: Çmimi Nobel dhe Panairi i Librit në Frankfurt.

Kosova është e pranishme në sallën 4.1 stenda F96, sallë e botuesve dhe shteteve ndërkombëtare si: Ukraina, shtetet skandinave, bota arabe, shtetet baltike, Belgjika, shtetet e Evropës Qendrore, Holanda, etj. Janë botimet më të reja të botuesve kryesorë të Kosovës, si: “Buzuku”, “Koha”, “Faik Konica”, “Pema”, “Artini”, “Skanderbeg Books”, “Dukagjini”, “Albas”, “Meshari”, “Magjia e Librit”, “Noa”, e të tjerë, si dhe institucioneve si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë dhe Universiteti i Prishtinës.

Në fundjavë, panairi hapet edhe për qytetarët dhe vizitorët, me ç’rast mbahen promovime me autorë dhe orë letrare në stendën e Kosovës, që është edhe pikëtakim i qindra kosovarëve që jetojnë në Gjermani. Një rast i jashtëzakonshëm ky për të gjithë diasporën që jeton në Gjermani, që të njoftohet me prurjet nga letërsia dhe kultura shqiptare, duke mbajtur gjallë lidhjen e trashëgiminë kulturore.

Lexo më shumë  Policia konfiskoi sasi të konsiderueshme të armatimit, dyshohet se mbeti nga sulmi i Banjskës

Të shtunën, në aktivitetin gjithëditor, shënohen përvjetorët e Ernest Koliqit, Petro Markos, Jakov Xoxës e Teki Dërvishit. Promovohen autorët Ag Apolloni, Rita Petro, Loreta Schillok, Sadije Aliti, Mechthild Henneke dhe Jetlira Avdijaj, prezentë në Panairin e Librit në Frankfurt edhe fizikisht, me ç’rast takohen me lexuesit dhe të interesuarit, koordinuar nga Seveme Fetiqi e Bekim Gashi.

Të dielen, stenda e Kosovës do të shërbejë si pikëtakim për Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptarë në Frankfurt dhe takimet mes autorëve e lexuesve.

Rruga Press

YouTube player