Projekt-Rezoluta e Parlamentit Evropian, kërkohen sanksione për Serbinë
Parlamenti Evropian ka hartuar një Projekt-Rezolutë për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për sulmin terrorist në fshatin Banjskë, që pritet të prezantohet në seancën e së enjtes, më 19 tetor. Kjo Rezolutë është iniciuar nga grupi politik i socialdemokratëve në PE, pasi situatën në Kosovë e vlerësojnë si “jashtëzakonisht shqetësuese”. Aty kërkohet sanksionimi i Serbisë, si dhe ekstradimi i Radojiçiqit.
Projekt-Rezoluta, e cila ka 29 pika, dënon ashpër “sulmin terrorist” ndaj Policisë së Kosovës nga “banda e armatosur serbe në mes të operacionit më të madh të kontrabandës së armëve” në Banjskë në veri të Kosovës, i cili ndodhi më 24 shtator e që rezultoi me vrasjen e rreshterit të policisë Afrim Bunjaku dhe plagosjen e dy policëve tjerë.
Nëpërmjet kësaj rezolute, të cilën e ka publikuar mediat serbe “Nova”, ftohen të gjitha anëtarët e BE-së që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, që ta dënojnë këtë sulm. Gjithashtu shprehet keqardhje e thellë për viktimat dhe shpërehen ngushëllime për familjen dhe kolegët e Afrim Bunjakut. Aty vlerësohet bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me partnerët ndërkombëtarë EULEX dhe KFOR në kundërpërgjigje të sulmit.
“Të gjitha palët ftohen për qetësim të situatës në veri të Kosovës dhe të shmangin çdo retorikë apo veprim që do të çonte në rritje të mëtejshme të tensioneve. Gjithashtu kërkohet që të vërtetohen të gjitha faktet për sulmin dhe një monitorim i kujdesshëm i hetimeve nga autoritetet kosovare. BE-së i kërkohet të mbështesë hetimin nga autoritetet e Kosovës, duke përfshirë mbështetjen nga EULEX-i. Autorët përgjegjës për këto sulme duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të përballen me drejtësinë. Autoriteteve të Kosovës u kërkohet të zbulojnë të gjitha provat në lidhje me incidentin dhe që institucionet ndërkombëtare në Kosovë, përfshirë EULEX-in, t’i vlerësojnë këto dëshmi. Pritet që Serbia të bashkëpunojë plotësisht me këtë hetim dhe të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin dhe që aktualisht ndodhen në Serbi, në përputhje me ligjin, përfshirë ekstradimin e tyre në Kosovë”, thuhet në Rezolutë, raporton RTK.
Autoriteteve të Kosovës u kërkohet gjithashtu që të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të parandaluar kontrabandën e armëve në vend, e cila bëhet përmes ambulancave dhe objekteve kishtare të Kishës Ortodokse Serbe në veri të Kosovës.
Tutje në Projekt-Rezolutë theksohet rëndësia e vendosjes së përgjegjësisë së Serbisë në sulmin e 24 shtatorit dhe nevoja për vendosjen e sanksioneve kundër Serbisë, në përputhje me masat ndaj Kosovës. Ftohen BE-ja dhe anëtarët e saj të përgatisin sanksione kundër organizatorëve, financuesve dhe autorëve të sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, bazuar në gjetjet e hetimit.
Gjithashtu, BE-së i kërkohet të vendosë masa kufizuese ndaj lidershipit serb, nëse konfirmohet pjesëmarrja e tyre në sulmin në Banjska ose cilido nga veprimet apo qëndrimet e lartpërmendura të dënuara, përfshirë mosgatishmërinë për të bashkëpunuar plotësisht në hetimin e këtij rasti. Këshillit të Evropës i kërkohet të miratojë masa kufizuese të synuara, duke përfshirë, por pa u kufizuar në ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e udhëtimit, kundër aktorëve destabilizues në veri të Kosovës dhe udhëheqësve të rrjeteve kryesore të krimit të organizuar. Në këtë kontekst, Këshilli ftohet të ndjekë shembullin e Shteteve të Bashkuara dhe të vendosë sanksione kundër Milan Radojiçiqit.
“Rezoluta dënon ashpër praninë e ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën, por mirëpret tërheqjen e disa trupave serbe nga kufiri i Kosovës dhe i bën thirrje Serbisë që të përmbahet nga përsëritja e situatave të tilla në të ardhmen. Serbisë i kërkohet të bëjë më shumë për të de-përshkallëzuar tensionet e shkaktuara nga prania e saj ushtarake. Në këtë drejtim, Serbisë i kërkohet të tërheqë të gjitha bazat ushtarake të vendosura afër kufirit me Kosovën dhe pajisjet, duke përfshirë sistemet kundërajrore dhe njësitë e artilerisë së rëndë, të përmbahet nga çdo vendosje joproporcionale ushtarake në rajon në të ardhmen dhe të ndërpresë çdo mbështetje për formacionet ilegale terroriste në veri të Kosovës”, thuhet tutje në Projekt-Rezolutë.
Rruga Press