Pse nuk vlen kërcënimi i Macronit dhe Ramës për pezullimin e liberalizimit të vizave?
Çfarëdo që donte të thoshte presidenti francez Macron kur fjalet e tij ambige dhe me tone shantazhuese u lexuan si pezullim i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, praktikisht, Franca nuk e ka në dorë ta ndalojë këtë proces i cili hyn në fuqi automatikisht më 1 janar të vitit 2024.
Ardhja “historike” e presidentit francez në Tiranë, paska qenë vetëm një sebep për të provuar shantazhin mbi Republikën e Kosovës. E gjitha kjo në krah të Edi Ramës, i cili si gjithnjë nuk nguroi të hedh baltë mbi Kosovën dhe me nëntekst mbi kryeministrin e saj, Albin Kurti.
Franca do të mundej ta bllokonte procesin e libralizimit të vizave, por hapat që çojnë atje janë praktikisht të pamundur.
Do të duhej që shteti francez të propozonte pezullimin e liberalizimit të vizave dhe kjo do të ishte nisja e një procedurë të gjatë nëpër shkallët e Parlamentit Evropian, ku ka kaluar më parë dhe është miratuar ky proces.
Do të duhej që gjatë këtij procesi të ri të rishqyrtimit të kishte konsensus mes vendeve të BE-së, në mënyrë që të aprovohej pezullimi i vendimit për liberalizim me votën e 2/3 së anëtarëve.
Jo vetëm që nuk do të kishte konsensus, por vetë Gjermania është shprehur disa herë se nuk vjen në shprehje ky pezullim dhe kanë siguruar se që nga viti 2024 qytetarët e Republikës së Kosovës do të lëvizin pa viza nëpër vendet e Bashkimit Evropian. Gjermania dhe ndikimi i saj është garanci se numri i votave të kërkuara për një proces që mund të zgjaste mbi një vit nuk do të iniciohet dhe realizohet kurrë.
Sado i bujshëm ky tentim-shantazh i dyshes Rama-Makron, ky kërcënim i turpshëm dhe i ulët është bosh.
Çfarë pamë sot në atë konferencë për shtyp i përket aspektit dëshiror, jo atij realist. Dëshira të cilat nuk e kanë në agjendë të mirën e Kosovës dhe qytetarëve të saj.
© Rruga Press