Sulmi i Ramës për Kurtin në sy të Macronit
Edi Rama, krah presidentit të Francës, Macron, u tregua sërish i ashmër me Albin Kurtin në Kosovë. Kur u pyet nga gazetarët se si i komentoni qëndrimet e Albin Kurtit, ai tha se Kosova ka shansin e fundit për të qenë në një linjë me planin franko-gjerman. Rama shtoi se duhet të mos e humbin këtë ofertë europiane, sepse mund të ketë ndalesë në marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE.
“Unë jam i bindur që e mira e madhe e Kosovës është ta firmosë unilateralisht dhe ta ekzekutojë marrëveshjen edhe sikur Serbia mos ta dojë kurrë. Dhe pastaj t’ja lërë në dorë BE dhe t’i thotë ne do t’i bashkojmë obligimet tona të planit franko-gjerman, as na intereson fare çfarë bën Serbia, mjafton që me BE-ne të hymë në një proces që njohja me vendet mosnjohëse të funksionojë. Paqja bëhet me armikun, nuk bëhet me armikun. Për të bërë paqe me armikun duhet të flasësh me armikun. Eshtë e tmerrshme të mendosh që ky është një oportunitet i artë në tavolinë që Kosova ka në krah gjithë aleatët që duhet të ketë, çlirimtarët dhe njohësit e saj dhe të mbytet në një lugë ujë. Kosova duhet të veprojë e pavarur nga Serbia, komplet e pavarur dhe t’i dedikohet rrugës së vet europiane duke u sjellë si një tjetër Europë në Ballkan. Këto që tha presidenti nuk janë kushte që vendos BE, këto janë mundësi themeltare per ta cuar përpara procesin e paqes. Për mua as nuk diskutohet që Shqipëria të vazhdojë të mbajë këtë flamur të paqes e dialogut”, tha Rama.
Duke vijuar më tej aktrimin para Macron, ai vijoi sulmet ndaj Albin Kurtit edhe kur tha se kryeministri i Kosovës “i jep miqve dhe aleatëve cdo ditë argumenta që të mërziten, që të zhgënjehen dhe humbasin besimin. Kjo mund të ketë një kosto që sot nuk e llogarisim dot”, deklaroi Edi Rama.
“Shqipëria bedel i politikave të ditës të cdo faktori shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë nuk bëhet”, deklaroi Edi Rama. Për ata që nuk e kuptojnë ndoshta, fjala “bedel” ka të bëjë me dikë që shkon në ushtri në vend të dikujt tjetër kundrejt pagesës. ©LAPSI.al
Rruga Press